30 miliardë euro ndihmë për Ballkanin, Von der Leyen: Të përshpejtohet agjenda e zgjerimit

Kancelarja Angela Merkel mbajti këtë të hënë, nëpërmjet një videokonference, seancën e fundit të Samitit të Berlinit, me gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre dhe kryeministrin Rama.

Pasi njoftoi një donacion me 3 milionë vaksina dhuratë nga Gjermania për Ballkanin, Merkel foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe procesin e Integrimit.

Të lidhura

None found

“E dimë që ekzistojnë një sërë problemesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi edhe një varg bisedimesh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore dhe na nevojitet shumë angazhim dhe durim. Është interesi i bashkësisë evropiane që bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë i mundshëm, dhe natyrisht ka shumë për të bërë për anëtarësimin”, tha Merkel.

Në takim ishin të pranishëm edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj të hapjes, tha se prioritet i parë është të përshpejtojnë agjendën e zgjerimit në të gjithë rajonin dhe të mbështesin partnerët e Ballkanit Perëndimor.

‘Prioriteti ynë i parë është të përshpejtojmë axhendën e zgjerimit në të gjithë rajonin dhe të mbështesim partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në punën e tyre për të kryer reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre drejt BE-së. Por angazhimi ynë me Ballkanin Perëndimor shkon përtej kësaj, dhe Procesi i Berlinit ka shërbyer si një inkubator për shumë iniciativa që tani janë bërë një pjesë integrale e politikës së BE-së ndaj rajonit. Së bashku ne kemi vendosur kursin për një Evropë më të qëndrueshme, më dixhitale dhe më elastike’.- tha Ursula von der Leyen.

Nga ana tjetër Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi se mbyllja e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE është thelbësore për procesin e Zgjerimit.

‘Mbyllja e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE është thelbësore për procesin e Zgjerimit. Ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, me vlerë afër 30 miliardë €. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke vendosur një Treg të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat e BE. Krijimi i ‘Linjave të Gjelbërta’ në pikat kufitare brenda të gjithë rajonit së pari, dhe tani pilotimi i kësaj me një Shtet Anëtar të BE-së është një ilustrim perfekt i mënyrës se si mund të funksionojë kjo.’- tha Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.


Shtuar 5.07.2021 19:21