Komision Hetimor për çështjen McGonigal? Berisha thirrje: FBI të hetojë këtë organizatë kriminale! PD e gatshme të kontribuojë që veprimtaria e saj në Shqipëri të marrë fund

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pas publikimit të raportit të Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-së, duke theksuar se ky dokument përmban dy zbulime thelbësore që, sipas tij, tronditin themelin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama dhe hedhin dritë mbi veprimtari të rënda kriminale ndërkombëtare.

Në një deklaratë për median, Berisha tha se raporti e përshkruan Charles McGonigal-in si një “agjent të paregjistruar kinez”, i lidhur ngushtë me Dorian Duckën në Shqipëri.
Sipas tij, kjo është një provë e qartë për përfshirjen e individëve të afërt me qeverinë shqiptare në aktivitete të dyshimta ndërkombëtare.

Ai tha se McGonigal është takuar me Edi Ramën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Nju Jork, ndërkohë që i cilësoi marrëdhëniet mes tyre si një “miqësi e kthyer në bashkëpunim kriminal”.

“Një veprimtari për të gjitha ata që duan të paraqesin se kreu shqiptar i organizatës kriminale Ramaduro McGonigal nuk ka shkelur ligjet amerikane, u them vetëm se gabohen. Të korruptosh një zyrtar të lartë amerikan kryen një krim të rëndë. Të përdoresh FBI në hetime kundër opozitës ke kryer një krim të rëndë antikushtetuese’, tha Berisha.

Berisha: Natyrisht, sot unë jam këtu për një ngjarje të censuruar në mënyrë të tmerrshme nga mediat kryesore të vendit, ndërkohë që ajo ushton dhe rezonon në të gjithë mediat e botës.

Dje, inspektori i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë publikoi raportin për veprimtarinë kriminale të dosjes shqiptare të famëziut McGonigal dhe Edi Rama.

Raporti i inspektorit të Përgjithshëm kishte dy tipare shumë të rëndësishme që duhen mbajtur parasysh.

Së pari, zbulonte me terma konkrete aktivitetin e McGonigal si një agjent i paregjistruar kinez me Dorian Duçkën. Se për rus, dihej ai.

Së dyti, zbulonte një dimension të papërmendur për dy shtetas izraelitë dhe një izraelito-afrikan, senegalez apo se nga ishte, të cilët sot janë enturazhi i Edi Ramës, me shumë-shumë gjasa.

Së pari, inspektori i përgjithshëm fakton se McGonigal është takuar në Shqipëri dy herë dhe në Nju Jork një herë me Edi Ramën, për të cilin miqësia me McGonigal ishte publikisht një krenari.

Ka kryer një veprimtari të përbashkët kriminale me Edi Ramën, së pari në pagesat që ka marrë në luftën kundër opozitës shqiptare.

Së dyti, në ndërhyrjet për ndryshimin e licencave të naftës kundrejt shumave të tmerrshme marramendëse.

Së treti, në angazhimin e institucioneve amerikane për hetime private për llogari të Edi Ramës dhe Tom Doshit në Vjenë.

Pra, një veprimtari për të gjithë ata të cilët duan të paraqesin se kreu shqiptar i organizatës kriminale Ramaduro-Mcgonigal nuk ka shkelur ligjet amerikane, u them se vetëm sa diskreditoni veten.

Të korruptosh një punonjës, një zyrtar të lartë të SHBA, që ka për detyrë të mbrojë qytetarët amerikanë nga korrupsioni, kryen një krim të rëndë në ligjin amerikan, ligjin shqiptar dhe ligjin e çdo vendi.

Të heqësh licencën një kompanie dhe t’ia japësh një kompanie tjetër me kërkesë të McGonigal, duke marrë Shqipëria një gjobë dhjetëra milionë dollarë nga kompania e përparshme, ke krye një krim të shëmtuar në ligjin shqiptar dhe ligjin amerikan.

Pra, të përdorësh FBI-së kundër Opozitës për hetime ndaj opozitës, ndërkohë që ai nuk është misioni i saj, por për qëllime private, ke kryer një krim të rëndë antikushtetues.

Ke përdorur forcën e institucionit hetues më të fuqishëm në botë kundër pluralizmit politik në Shqipëri.


Shtuar 5.09.2025 13:32