Këtë të mërkurë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, njëherazi Drejtuesi Politik i qarkut Fier Gazment Bardhi, ka denoncuar sërish ministren Belinda Balluku, për vjedhje dhe manipulim të zgjedhjeve të 11 Majit.
Këtë herë, Bardhi ka publikuar pamje të reja që i përkasin qendrave të votimit 2846, bashkia Divjakë dhe 2867, bashkia Lushnje, në të cilat shfaqen komisionerë dhe vëzhgues patronazhistë që orientojnë qytetarët si të votojnë, ushtrojnë presion apo edhe votojnë ndaj tyre, me qëllim sipas Bardhit, që “produkti” i farsës elektorale të jetë 100% i kontrolluar.
Bardhi ngre shqetësimin se; “deri më tani askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për vjedhjen më të madhe në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri”.
Denoncimi:
EPISODI 9 / VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Janë të pafundme rastet konkrete me zë dhe figurë që dëshmojnë zëvëndësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qarkun Fier me farsën elektorale të 11 majit të dirigjuar nga Belinda Balluku dhe bandaj e saj elektorale.
Pamjet e mëposhtme i përkasin qendrave të votimit 2846, bashkia Divjakë dhe 2867, bashkia Lushnje, në të cilat shfaqen komisionerë dhe vëzhgues patronazhistë që orientojnë qytetarët si të votojnë, ushtrojnë presion apo edhe votojnë ndaj tyre, me qëllim që “produkti” i farsës elektorale të jetë 100% i kontrolluar.
Deri më tani kemi publikuar me qindra raste të shkeljes së fshehtësisë së votimit, votimit më shumë se një herë dhe presionit ndaj votuesve, të provuara nga pamjet filmike të vëna në dispozicion zyrtarisht nga KQZ, të cilat mund të administrohen lehtësisht nga Prokuroria.
Por, deri më tani askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për vjedhjen më të madhe në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe gjasat duken që nuk do ta vënë as në të ardhmen, duke provuar fatkeqësisht edhe një herë se Edi Rama, Belinda Balluku dhe banditët e tyre elektoralë vepruan me syshkeljen e task forcës për krimet zgjedhore.