Berisha “i fali” tre deputetë Metës, reagojnë Murrizi e Çollaku: Po dorovisni votat e demokratëve, ja pse jemi 16 vjet në opozitë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vendosur ti qëndrojë besnik Ilir Metës duke i dhënë 3 deputetë hua aleatit të tij, mirëpo kjo lëvizje, nuk është pritur mirë nga demokratët.

Dy ish-deputetët Myslym Murrizi dhe Kreshnik Çollaku, kanë reaguar ashpër në rrjetet e tyre sociale.

“Problemi i PD nuk është pse i dhuron 7 deputetë e një grup parlamentar ish-LSI (parti me ideologji e histori tjetër)…,por se nuk ndal dot hemoragjinë brenda llojit, nuk bashkon të djathtën dhe dëgjon pak ose aspak e pjesën gri të elektoratit antiRame!!!”-shprehet Kreshnik Çollaku.

“Kjo “qerasja” me deputetë nga PD te partitë që nuk kanë vota as për një mandat, po më “pëlqen” shumë.
Opozita në zgjedhjet e 11 majit mori gjithsej 50 deputetë.
Nga këto, 4 ishin të LSI, 1 ishte i PR, 1 ishte i PDIU, 1 i PPDNJ, 1 i Partisë Agrare.
Vetë PD i ngelën 42 deputetë pa llogaritur ndonjë që ka ardhur si në transfertë, i huazuar nga LSI ose PS.
Nga 42 deputetë që i ngelën PD, dëgjova që 3 do t’i jepen për qerasje LSI që të krijojë grup parlamentar me 7 deputetë. 6 deputetë do t’i jepen Mediut për të krijuar grup tjetër parlamentar me 7 deputetë.
Dhe 6 të tjerë Partisë Agrare që edhe kjo të ketë grup parlamentar.

Kështu që grupit parlamentar të PD i ngelen vetëm 27 deputetë gjithsej.
Mirë do ishte që 6 deputetë të tjerë t’ia jepnin për kusur PDIU, që edhe kjo partiçkë që mori 1500 vota ta ketë një grup parlamentar. Dhe 6 deputetë të tjerë t’ia jepnin hua PPDNJ-së së Dules që nuk mori asnjë votë në 11 maj, që edhe Dulja ta ketë një grup parlamentar.

Dhe PD vetë të mbajë çfarë të ngelë pas “qerasjes”, që sipas llogarive ngelen 15 deputetë. Po edhe nga këto 15 “mirë” do bënit t’i jepnit 5 Agron Shehut, që edhe ai ta bëjë një grup parlamentar, se PD vetë “tamam” i ka 10 deputetë. Po kur shqiptarët shohin se si bëhet “qerasja” me deputetë, që këto parti parlamentare leshi të kenë grup parlamentar fiktiv vetëm për të marrë para nga taksat e shqiptarëve dhe për të punësuar 2-3 familjarë të tyre si këshilltarë apo sekretarë grupi si gjoja parti parlamentare, dhe që “kanë” grup parlamentar me deputetë të “shitur” në merkato, pse duhet të qëndrojnë stoikë si votues dhe nuk mund ta bëjnë këtë “pazar” vetë me votën e tyre ditën e zgjedhjeve????? Pse u dashka që votat e demokratëve t’i “dorovisni” ju ku të keni interes, në parti që kanë luftuar demokratët dhe demokratët vetë e paskan të ndaluar ta bëjnë një “dorovitje” me votë sa herë të ketë zgjedhje te çdo parti apo partiçkë që i ofrohet me pagesë???? Dhe pastaj themi pse kemi 16 vjet në opozitë.“-shkruan Maurrizi.,


Shtuar 21.08.2025 21:10