Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të shtunën, më 9 gusht, në një seancë urgjente për të diskutuar planin e Izraelit për të marrë kontrollin e Rripit të Gazës, sipas burimeve diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësim të thellë për këtë vendim të qeverisë izraelite, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të rrezikshëm.
“Jam thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Izraelit për të marrë kontrollin e Gazës. Kjo mund të përkeqësojë krizën humanitare për miliona palestinezë dhe të rrezikojë jetët e shumë të tjerëve, përfshirë pengjet e mbetura. Apeloj për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, ndihmë humanitare pa pengesa dhe lirimin e menjëhershëm e pa kushte të të gjithë pengjeve,” deklaroi Guterres në rrjetin “X”.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka këmbëngulur se qëllimi i Izraelit nuk është pushtimi i Gazës, por çlirimi i saj nga Hamasi dhe krijimi i një administrate civile paqësore, që nuk do të kontrollohet as nga Hamasi, as nga Autoriteti Palestinez, as nga ndonjë organizatë tjetër që Izraeli e konsideron terroriste.
“Ne nuk do ta pushtojmë Gazën – do ta çlirojmë atë nga Hamasi. Gaza do të çarmatose dhe do të ketë një administratë civile paqësore,” shkruan Netanjahu në “X”. Ai tha se ky plan do të ndihmojë në çlirimin e pengjeve dhe garantimin e sigurisë për Izraelin në të ardhmen.
Sipas mediave izraelite, në dokumentet zyrtare nuk është përdorur fjala “pushtim”, por “marrje kontrolli”, për të shmangur përballjen me përgjegjësi ndërkombëtare për menaxhimin civil të Gazës.
Në një tjetër zhvillim, Netanjahu bisedoi në telefon me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku shprehu zhgënjimin për vendimin e Berlinit për të pezulluar eksportet e armëve drejt Izraelit, pas shqetësimeve për përdorimin e tyre në luftën në Gaza.
“Në vend që të mbështesë luftën e drejtë të Izraelit kundër Hamasit, Gjermania po ndëshkon Izraelin dhe po shpërblen terrorizmin duke vendosur embargo armësh,” thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit.
Netanjahu përsëriti se objektivi i Izraelit është çlirimi i Gazës nga Hamasi dhe krijimi i një administrate paqësore, jo pushtimi i saj.