Vazhdojnë bombardimet në Ukrainë, 10 të vdekur në territoret e pushtuara të Luhanskut

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në veri-lindje dhe jug të Ukrainës. Nga ana tjetër, katër persona të tjerë u vranë në territoret e pushtuara të Luhanskut, pas bombardimeve të ushtrisë ukrainase.

Fillimisht, sulmet ruse goditën infrastrukturën hekurudhore në qytetin Lozova, në rajonin e Harkivit. Sipas autoriteteve lokale, dy persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën, ndërsa dëme të mëdha u regjistruan në disa ndërtesa. Sipas gazetarëve të AFP-së në terren, dëmet përgjatë linjës hekurudhore ishin të mëdha, përfshirë vagonë të shkatërruar dhe ndërtesa me dritare të thyera.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se 10 persona u plagosën në këtë sulm, mes tyre edhe dy fëmijë.

Një tjetër sulm rus u regjistrua mëngjesin e sotëm pranë qytetit Sumy, ku sipas guvernatorit lokal dy persona vdiqën dhe disa të tjerë u plagosën kur u godit një kompleks bujqësor në komunitetin Pishchane. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në vijim.

Ndërkohë, forcat ajrore të Ukrainës njoftuan se kanë rrëzuar 29 dronë të tipit Geran-2, një variant rus i dronëve iranianë Shahed, gjatë natës në veri-lindje të vendit.

Në jug-lindje të Ukrainës, në rajonin Zaporizhia, dy persona humbën jetën nga një sulm me dron rus, sipas autoriteteve lokale.

Nga ana tjetër, në territoret e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Luhanskut, katër punëtorë të një kompanie ujësjellësi humbën jetën nga bombardimet ukrainase, sipas udhëheqësit pro-rus Leonid Pasechnik. Ai shtoi se dy persona të tjerë janë plagosur dhe janë shkaktuar dëme në objekte të naftës.

Sipas një analize të AFP-së bazuar në të dhëna zyrtare nga Ukraina, vetëm në muajin korrik, Rusia ka përdorur 6,297 dronë në sulmet e saj, shifra më e lartë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.


Shtuar 5.08.2025 22:26

Tags: ,