Ndërsa konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdon të përshkallëzohet, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në një postim në Telegram se janë duke punuar për një takim të ri me Moskën në Stamboll.
“Ne diskutuam rrugën e negociatave me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, dhe Shefin e Kabinetit, Andriy Yermak, në veçanti zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë takimeve me palën ruse në Stamboll dhe përgatitjen e një takimi të ri”, shkroi ai.
Zelensky theksoi se një nga çështjet kryesore është shkëmbimi i të burgosurve të luftës.
“Ndër çështjet kryesore është vazhdimi i shkëmbimeve të të burgosurve të luftës. Është rënë dakord për një shkëmbim prej 1,200 personash dhe po punohet për listat. Sekretari i Këshillit raportoi për komunikimin me përfaqësuesin rus. Po punojmë gjithashtu për të zhbllokuar kthimin e civilëve tanë, duke verifikuar të dhënat për secilin mbiemër”, nënvizoi Zelensky.
Me pas, Yermak “raportoi mbi ndërveprimet me partnerët kryesorë që mbështesin diplomacinë tonë, veçanërisht kontaktet me palën amerikane, dhe mbi përpjekjet për të kthyer fëmijët që u rrëmbyen dhe u çuan në Rusi”, shtoi ai.