Me një akuzë 211 fletë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka “kopsitur” dosjen për në gjyq për 17 të akuzuarit për skemën e mashtrimit me mikrokreditë.
Në fashikujt e dosjes voluminoze, me firmën e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili, rezulton se janë 17 emra të cilët Prokuroria e Posaçme i akuzon për tre vepra penale: “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, vepra të cilat sipas ligjit shqiptar parashikojnë deri në 15 vite burg.
Emrat e të akuzuarve janë:
Elda Ibro
Arben Meskuti
Alban Kote
Aldo Daka
Albert Gega
Olsi Ibro
Andis Gjoka
Vasil Bakallbashi
Yliana Sejfo
Indrit Çuberi
Rigels Bejko
Altin Vako
Helidon Xhindi
Fatos Alimadhi
Lefter Canaj
Roland Deda
Endri Myftari
Spak ka zbuluar një sistem të sofistikuar kompjuterik që përndiqte debitorët në gjithë Shqipërinë nga grupi që udhëhiqte Olsi Ibro, 45-vjeçari i cili në korrik të vitit të kaluar ndërmori aktin ekstrem duke konsumuar fostoksinë dhe më pas duke u hedhur nga një pallat në ndërtim në rrugën “Ramazan Shijaku” në Tiranë ku dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Gjithashtu, dhe nga bashkëshortja e tij, Elda Ibro si dhe Arben Meskuti.
Deri më tani lidhur me këtë dosje në qeli janë tre nga 17 të akuzuarit nga SPAK. Priten zhvillime të rëndësishme në lidhje me këtë çështje sensitive, që pas disa vitesh hetimi çon para bankës së të akuzuarve 17 persona, ku më i rëndësishmi në akuzë, Olsi Ibro, nuk jeton më.