VIDEO/ “Dil o trim, të q**sha motrën”, Fatmir Metaj “lëshon gojën” pasi e qëlluan me molotov, kush është shefi i IKMT-së që drejton shembjet në Theth

Trupa e inspektorëve të IKMT-së është sulmuar pasditen e kësaj të premte me molotov në zonën e Thethit, teksa po drejtohej një tjetër zone rurale për të vazhduar operacionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, raporton newsbomb.al.

Mirëpo, teksa fadromat dhe inspektorët lëviznin përgjatë rrugës, janë sulmuar me disa shishe molotovë të cilat kanë rrezikuar jetën e tyre.

Një nga molotovët me benzinë ka përfunduar mbi fadromën e IKMT-së, ndërsa të tjerat në pyll, përgjatë rrugës dhe mbi një urë druri. Kjo e fundit është dëmtuar pjesërisht, duke ngritur dyshime se qëllimi i autorëve të paidentifikuar ka qenë djegia e saj që mjetet të mos avanconin më tej.


Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse, ndërsa Shërbimet e Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër.

Operacioni i trupave të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në zonën e Thehtit drejtohet nga Fatmir Metaj, një zyrtar i lartë i shtetit i cili ka disa “precedentë” me drejtësinë për shkak të prishjeve të ndërtimeve pa leje, më herët, në Tiranë dhe zona të tjera të vendit.

Karrierën ai e ka nisur si shef i Komisariatit të Tropojës, në vitin 1998, dhe makina e tij është përdorur nga autorët e vrasjes së pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari.

Referuar një vendimi të firmosur nga gjyqtari Sokol Pasho, që mban datën 14 dhjetor 2018, Metaj inspektor në Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, u dënua me 1 vit burgim si dhe iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vite.

Ai u dënua për prishjen e katër objekteve, një prej tyre me leje ndërtimi dhe tre objekte në proces legalizimi në Tiranë dhe Vaqarr. Objektet e prishura në kundërshtim me ligjin janë realizuar përgjatë viteve 2013-2014 dhe kanë qenë të ndërtuara në rrugën “Mihal Grameno” dhe përgjatë rrugës së Vaqarrit.


Siç shihet nga këto pamje të siguruara nga terreni këtë të premte, Fatmir Metaj ka qenë vet në krye të një prej fadromave të IKMT-së, e cila është sulmuar me molotov teksa shkonte të prishte disa objekte në fazë murature në zonën turistike të Thethit.

“Largohu, largohu. Fatmir mos, Fatmir, mos se me ty e kanë. Fatmir rri aty”, dëgjohet të thotë një nga personat që shoqëron ekipet e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke paralajmëruar kryeinspektorin Fatmir Metaj të mos dilte përpara efektivëve të Policisë.

Në një moment, kur molotovi me benzinë sapo ka rënë mbi fadromë, manovratori braktis menjëherë mjetin dhe pas tij zbret dhe Fatmiri.

“Dil o trim, dil o të q**sha motrën” dëgjohet të thotë ai, teksa shikon nga zona e pyllëzuar mbi rrugën, nga ku persona të paidentifikuar sulmuan përfaqësuesit e shtetit me molotovë. Efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë planizohen menjëherë me kallashnikov duke shoqëruar trupat e IKMT.

Menjëherë pas këtij incidenti, drejt Thethit janë nisur me urgjencë tre furgonë me efektivë të Repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.


Shtuar 11.07.2025 17:40