Një sulm ajror izraelit ka goditur palestinezë pranë një qendre mjekësore në Rripin e Gazës të enjten, duke i vrarë 10 fëmijë dhe gjashtë të rritur, sipas zyrtarëve shëndetësorë.
Sulmi ndodhi në një kohë kur nuk duket se do të arrihet së shpejti ndonjë marrëveshje në bisedimet për armëpushim që janë duke u zhvilluar.
Pamjet e verifikuara nga sulmi në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, shfaqin trupat e grave dhe fëmijëve të shtrirë në pellgje gjaku. Një video tjetër shfaq disa fëmijë të palëvizshëm të shtrirë mbi një karrocë gomari.
“Ajo nuk bëri asgjë, ishte e pafajshme, betohem. Ëndrra e saj ishte që lufta të përfundonte dhe që ata të njoftonin sot, në mënyrë që ajo të kthehej në shkollë”, tha Samah al-Nouri, duke qëndruar pranë trupit të vajzës së saj që u vra në sulm.
“Ajo thjesht po merrte trajtim në një qendër mjekësore. Pse i vranë?” tha ajo. Ushtria izraelite tha se e goditi një militant që kishte marrë pjesë në sulmin e udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izrael, i cili e shkaktoi fillimin e luftës në Gazë.