Të shtëna masive në Çikago: Tre të vdekur dhe 16 të plagosur pas një feste

Një tjetër ngjarje tragjike tronditi Çikagon mbrëmjen e së mërkurës, pasi të paktën tre persona humbën jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri jashtë një klubi nate në qendër të qytetit.

Sipas policisë lokale, të shtënat ndodhën pak pas përfundimit të një feste promovuese për albumin e reperit Mello Buckzz, ku dhjetëra të rinj po largoheshin nga ambienti kur një automjet që po kalonte hapi zjarr në drejtim të turmës. Në total, 19 persona u qëlluan me armë zjarri, prej të cilëve tre nuk i mbijetuan plagëve.

Autoritetet kanë konfirmuar se sulmuesit janë ende të paidentifikuar dhe hetimet janë në zhvillim e sipër. Policia nuk ka dhënë ende informacion mbi motivet apo nëse sulmi kishte ndonjë shënjestër të caktuar.

Ngjarja ndodhi në të njëjtin bllok ku në nëntor të vitit 2022 kishte ndodhur një tjetër incident i ngjashëm me armë, ku një person u vra dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.

Banorët e zonës shprehen të tronditur dhe të shqetësuar për rritjen e dhunës me armë, ndërsa autoritetet lokale janë vënë nën presion për të garantuar më shumë siguri në zonat e frekuentuara nga të rinjtë.


Shtuar 3.07.2025 11:16