Skerdi Sina, shok i Aleksandër Sadikajt i vrarë në vitin 2022 ka rënë në prangat e policisë së Tiranës këtë të mërkurë.
Në një ndjekje si nëpër filma ai udhëtonte me një person tjetër në makinë, i cili arriti t’ia mbathte.
Ata sipas policisë, nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri.
Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime se personat në automjet mund të ishin të armatosur.
Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”.
Gjatë largimit, dyshohet se ata hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.
Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, shtetasit Skerdi Sina, 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.
Ndërkohë, është bërë identifikimi i drejtuesit të automjetit dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor i ngritur për rastin po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.