Misteri i zhdukjes së mikut të Aleksandër Sadikajt, publikohet FOTO-ja e Eraldo Muçit

Prej disa ditësh, 30-vjeçari nga Memaliaj Eraldo Muçi, është zhdukur pa lënë gjurmë. Muçi ka qenë një prej miqve më të besuar të Aleksandër Sadikaj, i njohur si “Sanço i Memaliajt”, i ekzekutuar me bombë me telekomandë më 11 qershorit të vitit 2022, në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, pranë qendrës tregtare TEG.

Muçi rezulton i humbur që prej datës 15 qershor, kur ka pasur për herë të fundit kontakt me familjen.

Prej asaj dite, ai nuk është përgjigjur më në telefon dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.

Më 24 qershor, babai i tij, S. Muçi, 73-vjeç, ka bërë kallëzim në Stacionin e Policisë në Memaliaj, duke raportuar se prej 9 ditësh kishte humbur çdo kontakt me të birin.

 

 

Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit.

Burimet policore, thanë se për herë të fundit, i riu është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij.

Familja ngre dyshime të forta se atij mund t`i ketë ndodhur ndonjë ngjarje e rëndë kriminale, për motive hakmarrje, por policia nuk përjashton as pista të tjera.

Dyshohet për një përplasje mes dy grupeve rivale në trafikun e drogës në Greqi, që ka sjellë dhjetra atentate dhe disa viktima.


Shtuar 2.07.2025 10:22