Debat në seancën gjyqësore/ Avokatët braktisin sallën, shtyhet sërish procesi ndaj Altin Ndocit

Seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku një nga të pandehurit kryesorë është Altin Ndoci, u ndërpre sërish sot, pasi për të dytën herë radhazi avokatët mbrojtës braktisën sallën.

Kësaj here, ishte avokatja Elda Zotaj, përfaqësuese ligjore e Altin Ndocit, ajo që u largua nga seanca, pak çaste, pasi kërkoi përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Engjëllushe Tahiraj.

Zotaj akuzoi gjyqtaren për qëndrim të njëanshëm dhe intimidim ndaj përfaqësuesve ligjorë të të pandehurve, duke kërkuar largimin e saj nga çështja.

Pas largimit të saj, gjykata u detyrua të ndërpresë procesin, duke mos mundur të zhvillojë pyetjen e planifikuar ndaj të penduarit të tretë të çështjes, Skerdo Tasi, i cili kishte zënë vendin në karrigen e dëshmitarit.

Në pjesën e mëparshme të seancës, që zgjati rreth dy orë dhe u shoqërua me debate të forta mes palëve, gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për të vënë në dispozicion marrëveshjen e bashkëpunimit mes SPAK dhe të penduarit Endrit Alibej.

Gjithashtu, u miratua edhe dorëzimi i procesverbaleve të deklarimeve të dhëna nga Alibej në vitin 2022, përpara se të firmoste marrëveshjen e bashkëpunimit me Prokurorinë e Posaçme.

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar e këtij procesi, u ndërpre pas një largimi demonstrativ nga salla të katër avokatëve të të pandehurve, të cilët më pas u ndëshkuan me gjoba nga gjykata.

Procesi ndaj Altin Ndocit dhe të bashkëpandehurve të tjerë në dosjen “Plumbi i Artë”, vijon të përballet me pengesa dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet në një datë të re që ende nuk është bërë publike.


Shtuar 1.07.2025 14:16