E trishtë/ Ndahet nga jeta mjekja anesteziste në QSUT, Nertila Kodra Gora

Këtë të enjte, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përmes një postimi në “Facebook”, ka ndarë një lajm të trishtë, pasi mjekja Anesteziste Reanimatore në QSUT, Nertila Kodra Gora, ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Prej 27 vitesh, Dr. Nertila, ka shërbyer si mjeke specialiste e Anestezisë dhe Reanimacionit, pranë Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT.

Për ndarjen nga jeta të mjekës Nertila Kodra, ka reaguar dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila u shpreh ngushëllime vajzave të saj, bashkëshortit, prindërve, miqve dhe kolegëve që ndanë me të jetën dhe profesionin.

“QSUT i shpreh ngushëllimet familjes, miqve dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të mjekes anesteziste, Doktore e Shkencave Mjekësore, Dr. Nertila Kodra Gora.

Prej 27 vitesh, Dr. Nertila ka shërbyer me përkushtim, ndershmëri dhe humanizëm si mjeke specialiste e Anestezisë dhe Reanimacionit, pranë Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT. Ajo spikati për profesionalizmin, urtësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar për pacientët dhe kolegët.

Në këtë moment të vështirë, stafi i QSUT-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta vajzave të saj, bashkëshortit, prindërve, miqve dhe kolegëve që ndanë me të jetën dhe profesionin.

Pusho në paqe, Nertila. Do të të kujtojmë me respekt e mirënjohje të përjetshme”, thuhet në reagim.

 


Shtuar 26.06.2025 14:06