Situatë alarmante/ Valë e të nxehtit në Ballkan, rrezik për zjarre në këtë vend

Autoritetet në vendet e Ballkanit janë në gatishmëri për një valë të nxehti që pritet në rajon, vetëm disa ditë pasi zjarret shpërthyen në bregdetin e Kroacisë , ku u shpall një “alarm i kuq”. Shërbimet meteorologjike paralajmërojnë për një rrezik në rritje të zjarreve, me temperatura që mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në disa zona.

Në Kroaci, ku mijëra hektarë tokë u bënë shkrumb e hi gjatë fundjavës në bregdetin pranë Splitit, shefi i zjarrfikësve Slavko Tukakovic u bëri thirrje banorëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të sillen me përgjegjësi.

“Le të mos i lejojmë zjarret të bëhen rutina jonë e përditshme”, tha shefi i zjarrfikësve.

Rajone të tilla si kryeqyteti Zagreb dhe Dalmacia janë në “alarm të lartë” për këtë valë të parë të nxehtësisë së verës.

Në Shqipëri, zjarrfikësit vunë nën kontroll sot më shumë se 12 fronte zjarri, por kanë frikë se nxehtësia dhe thatësira do të nxisin zjarre të reja. Serbia është gjithashtu në gatishmëri, ku temperaturat mund të arrijnë 39 gradë Celsius nesër në Beograd, temperatura priten edhe për Athinën.


Shtuar 25.06.2025 21:05