Partia Socialiste nis përgatitjet/ Zgjedhje të reja në tre Bashki në vjeshtë, Blendi Klosi: Synojmë t’i fitojmë të gjitha

Sekretar i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, deklaroi se vjeshta është periudha e përshtatshme për ta kryer procesin zgjedhor në bashkitë e mbetura pa kryetar.

Vjeshta nuk do të jete vetëm stina e krijimit të qeverisë së re, por edhe stina e një procesi të dytë zgjedhor.

Qytetarët e Matit, Beratit dhe Tepelenës, do të thirren për herë të dytë para kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj, pasi të vjetrit u bënë deputetë.

“Të tre bashkitë padyshim duhet të shkojnë në zgjedhje edhe besoj periudha e përcaktuar në kod pra vjeshta, është periudha e përshtatshme për ta kryer këtë proces”, tha Klosi.

Ende pa u vulosur vota e 11 majit, Partia Socialiste, është në përgatitje të garës së dytë elektorale për 2025-ën.

Të njëjtën gjë nuk mund të themi për Partinë Demokratike, që është në betejë për të vërtetuar se zgjedhjet parlamentare ishin një farsë elektorale.

“Tre bashkitë të cilat janë në garë pas dorëheqjes së tre kryetarëve, janë në planet organizative të PS-ës dhe shkojmë për t’i fituar të treja bashkitë.

Kemi filluar, të paktën në Mat për përzgjedhjen e kandidaturave, për rifreskimin e strukturës elektorale, por besoj edhe Berati dhe Tepelena.

Pasi të shpallet data nga presidenti ne do të jemi të gatshëm të garojmë dhe t’i fitojmë të treja bashkitë”, deklaroi Klosi.


Shtuar 23.06.2025 13:23