Gjatë audiencës së përgjithshme të mbajtur të mërkurën në Vatikan, Papa Leon XIV ka bërë një thirrje të fuqishme për paqe në të gjitha zonat e përfshira nga lufta. Ati i Shenjtë u shpreh me tone të forta zemra e Kishës copëtohet nga britmat që ngrihen nga frontet e luftës, veçanërisht nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza.
Papa theksoi se lufta nuk duhet të bëhet një realitet i pranueshëm. Duke cituar paraardhësit e tij, ai u bëri apel udhëheqësve botërorë që të veprojnë në frymën e paqes dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Nuk duhet të mësohemi me luftën. Përkundrazi, duhet të refuzojmë, si tundim, armët e fuqishme dhe më të avancuara. Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të së drejtës ndërkombëtare, u kujtoj përgjegjësve – ashtu siç thoshte Papa Françesku – se lufta është gjithmonë një humbje. Dhe se, siç kishte thënë Papa Piu XII, me paqen nuk humbim asgjë, ndërsa me luftën mund të humbasim gjithçka”, tha Papa.