Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga ngjarja tronditëse e ndodhur mbrëmjen e së shtunë në Tolentino, në zonën e Maceratës, Itali.
Kujtojmë se 45-vjeçarja Gentiana, u qëllua për vdekje me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç, me origjinë shqiptare, banues në zonën e Perugias dhe me profesion fermer.
Sipas të dhënave nga hetimet, Hudhra e kishte kaluar ditën me djalin e tij 21-vjeçar, Mario. Më pas, ai kishte marrë një skuter – mjet i zgjedhur qëllimisht për të mos u vënë re, pasi viktima “do ta njihte makinën e tij” – dhe ishte drejtuar drejt qendrës së fshatit, në rrugën Benadduci, ku ndodhi edhe sulmi.
Gentiana, që punonte si kujdestare, po fliste në telefon me një mik në momentin kur u sulmua nga pas.
Hudhra e qëlloi me thikë rreth 10 herë me një teh rreth 30 centimetra të gjatë, të cilën e kishte fshehur më parë nën rrobat e punës. Më pas, ai e goditi edhe me shqelma ndërsa viktima ishte përtokë.
Skena e dhunshme u filmua nga disa dëshmitarë përmes dritareve të banesave përreth. Pas aktit të rëndë, autori u ul në një stol pranë trupit të viktimës dhe qëndroi i palëvizshëm.
Një kalimtar u afrua, i tronditur, ndërsa të tjerë dëshmitarë mbetën të ngrirë nga shoku. “Bëra atë që duhej të bëja, tani telefononi policinë”, ka thënë Hudhra.
Forcat e rendit mbërritën pak më vonë dhe e arrestuan në vendngjarje.
Gjatë marrjes në pyetje, ai rrëfeu krimin dhe tha se kishte planifikuar ta vriste ish-bashkëshorten për të “liruar fëmijët e tij”. Madje shtoi: “Donte të më helmonte. Unë duhej t’i liroja”.
Hudhra pranoi se ishte përpjekur ta vriste më parë, duke pohuar: “Ishte hera e tretë që doja ta bëja”.
Në makinën e tij u gjetën edhe thika të tjera, ndërsa njëra prej tyre ishte mbështjellë në një qese plastike e futur nën tutat e punës.
Prokuroria ka ngritur akuzën për vrasje të paramenduar, e rënduar nga mizoria dhe nga fakti që viktima është grua.
Hetuesit po vlerësojnë nëse do të kërkohet edhe një ekspertizë psikiatrike për autorin e rrëfyer të krimit.
Nikollaq Hudhra, kaloi natën e parë në izolim në burgun Montacuto të Ankonës. Seanca për verifikimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet mes ditës së hënë dhe të martë.
Sipas autoriteteve, nuk kishte shenja të menjëhershme që Gentiana të ishte në rrezik, pasi ajo vijonte aktivitetin e saj normal si punonjëse kujdestare.