Kapiteni Berat Gjimshiti flet për porosinë që mori gjatë vizitës në Luginë, provokohet me pyetje për gruan e tij

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka rrëfyer për porosinë që ka marrë gjatë vizitës në Luginë, ku mesazhi kryesor ishte fitorja ndaj Serbisë në ndeshjen e së shtunës në mbrëmje.

Shqipëria pret Serbinë në “Albanian Arena”, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset për Kupën e Botës.

“Pas disa ditësh pushimi, shkova të takoj gjyshin dhe gjyshen në vendlindje, një moment shumë i rëndësishëm për mua. Porosia ishte ajo që tashmë e dini të gjithë: jemi të fokusuar te ndeshja dhe gjithmonë kërkojmë fitoren. Serbia është një kundërshtar i fortë, por ne synojmë të fitojmë,” tha Gjimshiti në konferencën për media.

Ai foli edhe për emocionet që shoqërojnë këtë ndeshje, duke theksuar se lojtari duhet t’i kanalizojë në paraqitjen e tij në fushë.

“Emocionet janë pjesë e çdo ndeshjeje dhe mund të ndikojnë ndryshe tek disa lojtarë, por fokusi ynë kryesor duhet të jetë performanca në fushë. Mesazhin më të mirë mund ta japim me lojën tonë, duke dhënë gjithçka në fushë. Më pas, tifozët do të duartrokasin, çfarëdo që të ndodhë. Jemi përgatitur shumë mirë për këtë përballje, duke njohur forcën e kundërshtarit dhe mënyrën se si duam të luajmë ne”, deklaroi ai.

Kur u pyet për jetën personale dhe lidhjen e tij me një grua serbe, Gjimshiti u përgjigj shkurt dhe profesionalisht.

“Nuk jam këtu për të diskutuar jetën time private. Kam ardhur për futboll, dhe këto janë çështje personale që i lëmë jashtë fushës,” përfundoi kapiteni.


Shtuar 6.06.2025 20:49