Kombëtarja shqiptare do të përballet të shtunën e 7 qershorit me Serbinë, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.
Dueli përballë serbëve është mjaft i veçantë dhe sensitiv. Kjo, edhe falë ndeshjes së 14 tetorit, 2014, sfidë e cila u ndërpre për shkak se eskaloi në dhunë. Ndërkohë që në prag të ndeshjes së nesërme, në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al”, ka folur një nga lojtarët që ka qenë prezent në stadiumin e Beogradit, Armando Vajushi.
33-vjeçari është ndalur te situata në dhomat e zhveshjes në atë ndeshje të Beogradit. Gjithashtu, Vajushi thotë se Shqipëria ka mundësi reale për të arritur te fitorja, madje duke parashikuar dhe rezultatin përfundimtar, si dhe golashënuesit.
Keni qenë pjesë e ekipit në Beograd, në ndeshjen e vitit 2014. Çfarë ndjeni kur kujtoni atë ndeshje?
Ndeshja në Beograd është një kujtim i fortë dhe shumë emocional për të gjithë ne që ishim pjesë e saj. Ishte një moment që e tejkaloi futbollin dhe na preku ne dhe krenarinë tonë kombëtare. Ofendimet në stadium dhe më pas gjithë rrëmuja me episodin e dronit nuk lanë më vend për futboll atë natë. Pavarësisht situatës jo të këndshme që ndodhi, ne qëndruam të bashkuar si ekip.
Çfarë janë disa ndodhi që nuk janë parë e dëgjuar në lidhje me incidentet e asaj ndeshje, ç’keni përjetuar në ato momente?
Ishte vërtet moment shumë tensionues. Pasi dolëm nga fusha dhe u futëm në dhomat e zhveshjes, policia serbe filloi të na kontrollonte çantat dhe sendet personale me imtësi. Ata mendonin se mund të gjenin telekomandën e dronit te ndonjë prej nesh, a diçka e tillë. Ishin disa minuta stresuese.
Shqipëri – Serbi rikthehet përsëri, mendoni se kuqezinjtë kanë forcën për të fituar, apo emocionet dhe presioni mund të “ndikojnë” për keq?
Patjetër që kombëtarja mund të fitojë. Kemi lojtarë cilësorë dhe, më e rëndësishme se kjo, kemi një grup shumë të kompakt, djemtë janë tamam ekip. Emocione do ketë për secilin futbollist, por besoj që me të hyrë në fushë, lojtarët do jenë të fokusuar 100% te fitorja e kësaj ndeshje.
Mendoni se është më e fortë kjo Shqipëri, apo ajo e vitit 2014 në stadiumin e Beogradit?
Pyetje e vështirë kjo. Mendoj që çdo brez ka karakteristikat e veta. Nuk mund ta them dot cila kombëtare është më e fortë, kjo e sotmja apo ajo para 11 viteve. Lojtarët kanë ndryshuar gati të gjithë. Mund të them që kombëtarja e sotme luan një futboll më sulmues se kombëtarja ku unë isha pjesë. Atëherë kishim një skemë të bazuar në një mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta nga krahët. Sot kombëtarja është më e balancuar në këtë aspekt.
Cilin nga lojtarët e sotëm të Kombëtares do të “veçoje” si më të mirin, pra “yllin” e ekipit?
Është e vështirë të veçoj dikë, sepse kemi disa emra të rëndësishëm që luajnë në nivele të larta në Europë. Meqë më duhet të them një emër të vetëm, po them Gjimshitin. Kapiten i kombëtares, lider në fushë dhe jashtë fushës, lojtar shumë cilësor, është ndër mbrojtësit më të mirë në Serie A. Dallohet qartë çfarë niveli ka ai në fushë.
Sylvinho apo De Biasi dhe pse?
Hahaha, s’mund t’i përgjigjem kësaj pyetje. Me De Biasin kam pasur një raport shumë të mirë, e vlerësoj shumë për anën e tij profesionale dhe njerëzore. Sylvinhon nuk e njoh si De Biasin, por që po sjell një qasje moderne. Të dy meritojnë respekt dhe jemi me fat që i kemi pasur të dy.
Si mendoni se do të përfundojë kjo ndeshje, një rezultat për Shqipëri – Serbi, madje edhe golashënuesit, sipas mendimit tuaj?
2-0 fiton Shqipëria. Golat i shënojnë Broja dhe Dalu. /Nikoll RAJTA/