Berisha: Nuk kishte proces zgjedhor, por një farsë, u shkel hapur Kushtetuta e vendit dhe Kodi Zgjedhor

Ditën e sotme, kryedemokrati Salli Berisha, deklaroi se me 11 maj nuk kishte proces zgjedhor, por një farsë! U shkel hapur dokumenti i Kopenhagenit, Kushtetuta e vendit dhe kodi zgjedhor.

Në ligjet ndërkombëtare, dokumentin e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, Kushtetutën e vendit dhe kodin zgjedhor, kërkohet që në një proces zgjedhor të zhvillohet në përputhje me përcaktimet e këtyre ligjeve, këtyre parimeve.

Në të kundërt ai nuk është një proces zgjedhor, por një farsë zgjedhore. Ndaj dhe unë kërkoj mirëkuptimin e medieve të heqin nga fjalori i tyre zgjedhje dhe të zëvendësojnë me fjalën farsë zgjedhore.

Kjo sepse në këto zgjedhje u shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta, për të cilat Shqipëria ka firmosur dokumentin e Kopenhagenit.

Shqipëria ka mishëruar këtë dokument dhe parimet e këtij dokumenti në Kushtetutën e vendit dhe në kodin zgjedhor.

Ajo që ka ndodhur me 11 Maj, dhe të gjithë periudhën pararendëse, për zgjedhjet e 11 Majit, është një përmbysje e plotë e parimeve më themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat kërkojnë që zgjedhësit të shprehin mendimin e tyre lirshëm për përfaqësuesit që zgjedhin.

Është bërë tashmë e njohur se kontrolli i vullnetit të zgjedhësve ishte i gjithëformshëm, i shumëformshëm dhe i përhapur në mbarë vendin. Ishte i gjithëformshëm nga miklimet, nga influencat gjer tek kërcënimet dhe revolja në ballë.

Pra, parimi, cilido që kërkon të ballafaqohet me të vërtetën, duhet të lexojë dokumentet ndërkombëtare dhe kommbëtare për zgjedhjet, në rast se ai do të respektojë dinjitetin e tij, vlerat e vërteta që beson ose duhet të besojë.

Pra, palët zotohen, thotë dokumenti i Kopenhagenit se do mbajnë zgjedhje të lira periodike, në të të cilat do garantojnë në praktikë shprehjen e mendimit të zgjedhësve në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.

Të pyes çdo qytetar: si u zgjodh Blendi Gonxhja, Sara Mile, si u zgjodhën lista e kandidatëve që mbështeten nga banditët në parlament. Pra, kemi të bëjmë me sharrimin e këtij parimi themelor që zgjedhjet i dëshmon farsë.

Që Shqipëria pati farsë elektorale, të cilën njerëzit e lirë kurrë nuk mund ta pranojnë. Në këto zgjedhje dhe në këtë vend u shkel një parim tjetër ndër më themelorët i një sistemi demokratik. Parimi kusht që ndan shtetin ligjor nga shteti partiak.

Dhe kjo ndodhi në mijëra e mijëra raste. Çfarë thotë pika 5, fraksion 4? Zotohen për një ndarje të qartë të shtetit dhe partive politike. Në veçanti, partitë politike nuk do të përzihen me shtetin.

Ja pra çfarë përcakton dokumenti ndërkombëtar për zgjedhje të drejta. Që në momentin kur ti garon me një parti shtet, ato nuk janë zgjedhje por janë farsë elektorale. Merr fund procesi zgjedhor sepse garë nuk ka.

Gara është fiktive për arsye se ti ke në fushë në ndeshje një shtet që ka mbrapa buxhete miliardash, që ka një logjistikë të pafundme, që ka të gjitha mjetet e dhunës dhe një apo disa forca politike pa asnjë lloj mjeti mbrojtës ndaj këtij shteti barbar në raport me zgjedhjet.

Pra, të dashur qytetare dhe qytetarë, zgjedhjet nuk ishin. Kjo ishte një farsë e turpshme elektorale. Më e turpshmja në historinë 32-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Në këto zgjedhje, si kurrë më parë, shteti i tërë doli lakuriq në tërë shëmtinë e tij kundër qytetarëve.

Për të bërë presione nga më të ndryshmet, përdori të gjitha mjetet te tij, përdori nëpunësit e tij për forma nga më të ndryshme presioni. Ndaj të dashur qytetarë dijeni se me 11 Maj ka ndodhur një gjëmë e madhe për demokracinë shqiptare.

Referojuni këtij dokumenti ndërkombëtar, dokumentit të Kopenhagenit, i detyrueshëm për çdo vend demokratik që zhvillon zgjedhje dhe zgjedh qeverinë me votën e qytetarëve.

Kurrë ndonjëherë, një parti e transformuar në shtet dhe mafie nuk është vërsulur më me egërsi ndaj qytetarëve shqiptarë siç është vërsulur narkoshteti i Edi Ramës. Ndaj ju lutem lexoni pikën 5, fraksion 4 të dokumentit të Kopenhagenit.

Tjetër, Shqipëria është zotuar sipas pikës 5, 5, se veprimtaria e qeverisë dhe administratës, si dhe e sistemit të drejtësisë, do ushtrohen në përputhje me sistemin e vendosur me ligj dhe në respekt të atij sistemi.

E morët vesh ju se si veproi administrata gjatë këtij procesi, se si e mbylli gojën, se si shërbeu si shpifë e partisë, Skapi i Dumanit, se si heshti para dhjetëra e dhjetëra padive, para veprimtarisë më të egër kriminale të bandave.

E morët vesh ju se si sistemi i drejtësisë u përdor për të burgosur liderët e tre partive kryesore opozitare dhe marrë mandate të tjera. Për të ushtruar terror politik mbi opozitën. Zgjedhjet pra nuk ishin, ishte një farsë.

Dhe ata që duan të hanë turpin me bukë i quajnë zgjedhje këto. Këto ishin farsë elektorale ku u shkelën parimet më themelore. Tjetër, sistemi i ngritur nga Edi Rama është absolutisht antidemokratik. Çfarë thotë karta e Kopenhagenit?

Palët lejojnë që të gjitha vendet në një dhomë në legjislaturën kombëtare të zgjidhen në garë të lirë me votën popullore. Pra, kërkon që të gjithë ata që ulen në parlament, t’i jenë nënshtruar një gare të hapur, të lirë, jo me lista, por secili me vend.

Pra, kjo ishte një farsë antidemokratike fund e krye. Palët kanë detyrimin t’u japin mundësi të gjithë forcave politike, garanci të plota ligjore, të garojnë me njëra-tjetrën mbi bazën e trajtimit të barabartë para ligjit dhe autoriteteve.

Se cila është barazia në këto zgjedhje, kur njëra palë shpërndan 500 milionë euro prokurime dhe koncesione. 76 milionë euro bonus për vota. 200 milionë euro gjoba të falura për vota. Miliona e miliona rrënjë kanabis, nga të cilat, secila është 1 mijë euro, për vota. Tani ju e merrni me mend se çfarë farsë e shpifur ishte kjo.

Mbetemi tek ajo fjala e mikut tim, që dekada më parë vëzhgova zgjedhjet në Zimbabve, ku diktatori Mugabe zhvilloi zgjedhje të njëjta me këto në Tiranë.

Nuk ma priste mendja kurrë që në vitin 2025 të shihja zgjedhje të tilla në Tiranë, do më thoshte një miku im i shquar.


Shtuar 20.05.2025 12:54