Rikthehet elegancë në tapetin e kuq të Kanës: Zhveshja “jashtë mode” këtë vit

Festivali i Filmit në Kanë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë botërore, këtë vit vjen me një kthesë të papritur: më shumë rregulla dhe më pak lëkurë në tapetin e kuq.

Organizatorët kanë vendosur të vendosin kufij të qartë për atë që quhet “modë provokuese”, duke ndaluar zhveshjen në emër të mirësjelljes. Fustanet e tejdukshme, prerjet ekstreme dhe “stilimet” që tërheqin më shumë klikime sesa komente për filmat, nuk do të jenë më të mirëpritura në bulevardin e famshëm Croisette.

Ky vendim vjen në një kohë kur vëmendja ndaj eventit, vit pas viti, është zhvendosur gjithnjë e më shumë nga kinemaja te “look-u i mbrëmjes”. Organizatorët duken të vendosur ta ndryshojnë këtë narrativë, me ndihmën e një kodi të ri veshjeje që do të zbatohet në çdo zonë të festivalit – nga tapeti i kuq te ambientet e brendshme.

“Zhveshja është e ndaluar në tapetin e kuq dhe në çdo zonë tjetër të festivalit,” thuhet në dokumentin zyrtar të shpërndarë për pjesëmarrësit. “Stafi i pritjes do të ndalojë hyrjen për këdo që nuk respekton rregullat.”

Ceremonia e hapjes do të drejtohet nga regjisorja franceze Amélie Bonnin, e cila do të prezantojë filmin “Leave One Day”. Një nisje që simbolikisht përputhet me frymën e re të Kanës: më pak zhurmë, më shumë thelb.

Në këtë edicion, në Grand Auditorium Louis Lumière, pritet të mbizotërojë eleganca klasike – kostume të qepura me kujdes, fustane të gjata dhe hijeshi pa teprime.

Nëse deri dje yjet e Kanës konkuronin për titullin e “më të zhveshurës”, këtë vit sfida është kush do të jetë më i/e sofistikuar. Dhe ndoshta, më në fund, filmat do të marrin vëmendjen që meritojnë.

Deri atëherë, rikujtojmë: në Kanë këtë vit, less skin, more cinema.


Shtuar 12.05.2025 15:44