MAKINA E PAPËS KTHEHET NË KLINIKË! “Papemobile” do të bëhet klinikë për fëmijët e Gazës

Një nga papamobilat e Françeskut, të cilin Papa i ndjerë e përdori për të përshëndetur mijëra njerëz, do të shndërrohet në një klinikë shëndetësore të lëvizshme për të ndihmuar fëmijët e Gazës.

Pas një kërkese nga Papa Françesku, automjeti po ripajiset me gjithçka që nevojitet për kujdesin në vijën e parë në një zonë lufte, tha organizata bamirëse Caritas, e cila po mbikëqyr projektin.

“Do të ketë teste të shpejta, komplete qepjeje, shiringa, furnizime me oksigjen, vaksina dhe një frigorifer të vogël për ruajtjen e ilaçeve”, shpjegoi ajo në një deklaratë.

Vatikani tha se kjo ishte “dëshira e fundit e Papës për fëmijët e Gazës” para se të vdiste muajin e kaluar. Automjeti është aktualisht në Jerusalem dhe do të hyjë në Gaza nëse dhe kur Izraeli të hapë një korridor humanitar.

Për momentin, Caritas do të duhet të presë derisa Izraeli të rihapë korridorin e ndihmës – por kur kjo të ndodhë, ata thonë se do të jenë gati.

Një ekip mjekësh do të drejtojë klinikën mobile, e cila do të ketë kapacitetet për të ekzaminuar dhe trajtuar pacientët, dhe do të ketë një shofer të dedikuar.

Papamobilat në të kaluarën ishin të papërshkueshme nga plumbat pas një atentati ndaj Papa Gjon Palit II në vitin 1981, por Françesku u tha mediave spanjolle në vitin 2014 se nuk i pëlqente dizajni prej qelqi i “kanaçes së sardeleve” që e ndante atë nga njerëzit.


Shtuar 5.05.2025 15:14

Tags: , ,