Në Nju Jork është gjithçka gati për edicionin e 78-të të Met Gala, ngjarja më e madhe e vitit në botën e modës, që do të zhvillohet – si gjithmonë – natën e parë të së hënës së muajit maj.
Këtë vit, spektakli i famshëm në Metropolitan Museum of Art pritet të shkëlqejë me një elegancë të theksuar sartoriale dhe një reflektim të thellë mbi konceptet e identitetit dhe përfshirjes kulturore.
Tema e këtij edicioni është “Tailored for You” – “E qepur për ty” – një kod veshjeje që frymëzohet nga figura e Black dandy, duke nderuar stilin dhe hijeshinë e të veshurit si formë e shprehjes së identitetit brenda diasporës së zezë.
Tema është në përputhje me ekspozitën që do të hapet më 10 maj në Costume Institute, me titullin “Superfine: Tailoring Black Style”, e cila do të jetë e hapur për publikun deri më 26 tetor 2025.
Ajo sjell në vëmendje mënyrën sesi komunitetet afrikano-amerikane dhe të diasporës kanë rimodeluar veten përmes veshjeve, duke bashkuar kodet estetike tradicionale me ato moderne.
I njohur ndryshe si Met Ball, Met Gala është një ngjarje që ndërthur modën, artin dhe filantropinë. Që nga viti 1946, mbrëmja shënon hapjen e ekspozitës vjetore të Costume Institute në MET dhe mbledh fonde për këtë qëllim.
Që nga viti 1995, nën drejtimin e Anna Wintour, ikonës së Vogue, Met Gala ka fituar një rëndësi të jashtëzakonshme globale. Në vitin 2024, biletat për të marrë pjesë kapën shifrën rekord prej 75 mijë dollarësh për person, ndërsa një tavolinë arriti në 350 mijë dollarë.
Në krah të Anna Wintour këtë vit do të jenë emra të njohur si muzikanti dhe drejtori kreativ i Louis Vuitton, Pharrell Williams, aktori Colman Domingo, piloti i Formula 1 Lewis Hamilton dhe reperi A$AP Rocky.
Ndërsa ylli i NBA, LeBron James, do të mbajë titullin e bashkë-presidentit nderi. Lista e plotë e të ftuarve – rreth 450 emra – mbetet ende sekret, por pritet të marrin pjesë yje si Rihanna dhe Doja Cat.
Në pritje të paradës së famshme të tapetit të kuq, një gjë është e sigurt: edhe këtë vit, Met Gala do të jetë jo vetëm një pasarelë e modës, por edhe një deklaratë kulturore dhe sociale.