Një automjet tip BMW, është përfshirë nga flakët në autostradën Laç–Mamurras, duke shkaktuar panik te drejtuesi, i cili fatmirësisht ka arritur të dalë në kohë nga makina dhe ka shpëtuar pa lëndime.
Ngjarja ka ndodhur papritur, kur drejtuesi i mjetit ka vënë re flakët që nisën të përhapeshin nga pjesa e përparme e makinës.
Ai ka braktisur automjetin menjëherë, ndërsa zjarri e ka shkrumbuar atë plotësisht përpara mbërritjes së zjarrfikësve të Laçit, të cilët pavarësisht ndërhyrjes nuk mundën të shpëtonin mjetin.
Dyshohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndijë në sistemin elektrik të automjetit, megjithatë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.