Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit ka përgjegjësi propozimin e kryeparlamentarit dhe formimin e qeverisë.
Deri më tani, 61 votat që kërkohen për këto procese kanë munguar. Megjithatë, një bashkëpunim me partinë NISMA do të ia mundësonte një gjë të tillë Lëvizjes Vetëvendosje.
Të enjten, Haxhi Avdyli, anëtarë i partisë Guxo por që garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kjo parti ka arritur marrëveshje me NISMA-n dhe kanë siguruar 61 vota, por që kërkojnë akoma më shumë, pasi konsiderojnë se kanë siguruar votat e partive pakicë joserbe.
Arritja e një marrëveshje me partinë që ka vetëm tre deputetë është mohuar nga deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.
Këto kalkulime politike të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas njohësve do ta pengojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës deri në fund të muajit prill.
“Nuk besoj që mund të ketë lëvizje të paktën deri më 26 prill, kur skadon 30 ditëshi që nga dita e certifikimit të zgjedhjeve nacionale që i bie që ne shkojmë në territor të panjohur ligjërisht dhe mandej besoj që do të ketë një ri kyçje edhe të presidentes, sepse është e pamundur që Kosova të mbes pa institucione“, u shpreh Dritëro Arifi-njohës i politikës.
Për t’i ikur këtij ngërçi, njohësit thonë se duhet të përfshihet edhe presidentja Vjosa Osmani. Megjithatë, nga deklarimet politike dhe bllokada në Kuvend, njohësit mendojnë se vendi është drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Edhe Vetëvendosje edhe partitë tjera shqiptare, janë të interesuara në një farë mënyre që nëse nuk ka një qeveri stabile, janë të interesuar që të shkojnë të gjithë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
As të shtunën, në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk pritet lëvizje që do t’i hapnin rrugë formimit të institucioneve.
Dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 15 prill erdhi pasi nuk u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve të deputetëve. Të enjten, erdhi dështimi i dytë pasi raporti nuk u hodh në votim. Tentativa e tretë për konstituim të Kuvendit është të shtunën në orën 12:00.