GJKKO urdhëron lirimin e anëtarit të bandës së Laert Haxhiut

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Idriz Manejt për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe ka urdhëruar lirimin e tij nga burgu. Shkak për këtë vendim është bërë përfundimi i afatit të paraburgimit.

Idriz Manej Manej i ishte drejtuar GJKKO-së ku kishte kërkuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” që i kishte caktuar më 1 Tetor 2023 Gjykata e Elbasanit për akuzat ndaj tij si pjesë e krimeve të grupit të Leart Haxhiut, përpara se dosja t’i kalonte për kompetence Prokurorisë së Posaçme, e cila zbardhi përmes të penduarit të drejtësisë Artan Tafani një seri ngjarjesh.

Vendimi në GJKKO ësjtë marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Çela, Etleva Deda dhe Elsa Ulliri dhe sipas tyre Idriz Manej duhet të lirohet për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se gjysma e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet.

Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të pandehurit Idriz Manej nga masa e sigurimit personal “arrest në burg”, mbasi autoritetet të kryejnë verifikimet dhe vetëm nëse nuk mbahet për ndonjë vendim tjetër mase sigurimi personal shtrëngues ‘arrest në burg’, apo vendim dënimi me burgim të formës së prerë thuhet në vendim”.

Por i njohuri si Idriz Manej rezulton i dënuar edhe për një çështje droge, për të cilën po mbahej në burgun e Drenovës kur Tafani foli ndaj grupit të Laert Haxhiut dhe ekspozoi edhe një nga ndihmësit në krimin e 2021.

U takon autoriteteve të burgjeve të vlerësojnë nëse e ka përfunduar apo jo 60-vjeçari dënimin e mëparshëm.

Idriz Manej , shkodrani që njihet me nofkën “Gjyshka”, në lidhje me dosjen e Laert Haxhiut akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Fridman Xhaferaj në 2 qershor 2021.

Fillimisht “Gjyshka” u arrestua në muajin Nëntor 2021 nga policia e Korçës, gjatë operacionit të koduar “Ristart”, pasi së bashku me Ligor Romaçkën, Joni Moskun dhe një person tjetër, tentuar të trafikonin 114 kg drogë përmes pikës kufitare të Goricës në Maqedoninë e Veriut.

Për këtë episode trafikimi, Idriz Manej është deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 vite burgim.

Ndërsa teksa ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Drenovës, “Gjyshka” është arrestuar për herë të dytë, këtë rradhë nga prokuroria e Elbasanit, e cila e akuzon se ka marë pjesë në vrasjen e Fridman Xhaferaj në Korçë.

Sipas rrëfimit të bashkëpuntorit të prokurorisë së Elbasanit, Artan Tafani, Idriz Manej ka qënë pjesë e grupit të përbërë nga Laert Haxhiu, Lulzim Spahija, Ligor Romaçka, Mariglen Topuzi dhe Bledar Berberit.

Pikërisht këto emra së bashku me të penduarin Tafani, kanë vrarë me armë zjari dhe më pas hedhur në ujërat e rezervuarit të Gjançit në Korçë, Fridman Xhaferaj. /boldnews


Shtuar 9.04.2025 23:32