Shkoi në pyll për të prerë dru, zhduket 27-vjeçari në Has (EMRI)

Një 27 vjeçar nga Hasi ka humbur kontaktet me familjen e tij, pasi u largua në mëngjes për të prerë dru në pyll.

Ajet Lleshi, është 27-vjeçari që ka humbur.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, mbrëmjen e djeshme, janë njoftuar nga familjarë të shtetasit A. Ll., 27 vjeç, banues në fshatin Kishaj, se rreth orës 17:00 kishin humbur kontaktet me 27-vjeçarin, i cili ishte larguar nga banesa në mëngjes, për të prerë dru, në pyll.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet në zonë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të fshatit, për gjetjen e shtetasit A. Ll., por ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit A. Ll.

Për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.


Shtuar 7.04.2025 12:39