Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është arrestuar nga Policia e Fierit, pasi akuzohet se ka kanosur për shkak të detyrës një efektiv të FNSH-së.
Në pranga është vënë shtetasi Alesio Xhelo, 40-vjeç, banues në Fier, i njohur ndryshe dhe si “Titi“, teksa ka përdorur më parë emrin Astrit Hasani.
Policia raporton se ky person ndodhej me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, me mbikëqyrje policore 24 orë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e mbetur në tentativë.
“40-vjeçari, ditën e djeshme ka kanosur duke sharë, ofenduar dhe kërcënuar punonjësin e policisë të Forcës Kombëtare të Sigurisë , Njësia Fier, i cili ishte në shërbim, në mbikëqyrje të këtij shtetasi”, – raportojnë autoritetet.
Alesio Xhelo alias Astrit Hasani, është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në Qershor të vitit 2019, ai u arratis nga burgu në Greqi, së bashku me tre shqiptarë të tjerë.
Shqiptarët u arratisën nga qelia e izolimit, pasi neutralizuan policët e shërbimit. Ata po mbaheshin në pritje të gjykimit për vjedhje.
Njëri prej tyre u shtir sikur ishte sëmurë dhe ra për tokë. Kur një polic hyri në qeli që të shihte çfarë ka ndodhur, ata e neutralizuan nën kërcënimin e një sendi të mprehtë që nuk dihet se si kishte rënë në duart e tyre.
Pastaj zbritën në hyrje të godinës, ku u përballën me një police që ishte roje, të cilën gjithashtu e neutralizuan. Ata u morën dy policëve armët dhe telefonat celularë dhe arritën të largoheshin nga komisariati.
Alesio Xhelo alias Astrit Hasani, ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një greku dhe i përfshirë në 8 shkëmbime zjarri me Policinë në Greqi, si dhe në dhunimin e gruas se një diplomati të huaj gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre dhe në rrëmbimin e një të riu që e liroi pasi mori shumë para nga familja e tij.