Rama publikon pamjet: Tuneli i Murrizit hapet më 14 mars (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, ndan pamje nga tuneli i Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën. Tuneli pritet të hapet më 14 Mars.

Nga video e publikuar nga kryeministri Rama, vihet re se tuneli është gati për qarkullimin e automjeteve. “E gjeni dot ku është”? – shkruan Rama.

“Më 14 mas do të hapim tunelin e Murrizit për akses për të gjitha automjetet, ndërkohë do të vijojë puna në tunelin ndihmës, atë të emergjencës”, deklaroi zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa inspektoi më 21 shkurt punimet në tunelin e Murrizit.

Hapja e tunelit të Murrizit, e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të nxis rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik, tashmë për Veriun.

Tuneli i Murrizit, ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës. Ai ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.

Me një gjatësi rreth 74 km, Rruga e Arbrit, do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.

Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu, ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

 


Shtuar 13.03.2025 08:16