E pazakontë në Sarandë/ Peshkatari futet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe hedh një kovë me midhje (VIDEO)

Një grup kultivuesish të midhjes nga Ksamili, kanë protestuar para bashkisë së Sarandës për shqetësimin, sipas tyre jetik, midhja.

Degradimi i parametrave jetësorë të liqenit dhe mosdhënia e kontratave të qirasë për përdorimin e impianteve nga fermerët, rrezikon të lerë Liqenin e Butrintit pa midhje.

Ata i bëjnë thirrje ministrisë së bujqësisë që të kthejë sytë nga midhja, me atë emrin domethënës “Mbretëresha e Butrintit”.

 

“Për të disatën herë kemi ardhur për të bërë prezente për situatën që është krijuar në liqenin e Butrintit, konkretisht për industrinë e kultivimit të midhjes.

Parametrat jetësorë të liqenit të Butrintit kanë rënë dhe sivjet riskuam edhe humbjen e farës.

Nga analizat që kemi bërë në mënyrë të pavarur për Liqenin e Butrintit vihet re që ka mungesë të oksigjenit të tretur në ujë që do të thotë që uji nga Bistrica nuk vjen mjaftueshëm në Liqen dhe kjo ndodh edhe tani që jemi në periudhën e dimrit, mendo se si do të jetë situata në sezonin e verës kur të ngrihen temperaturat e ujit.

Kështu që kemi ardhur këtu të bëjmë thirrje ta ftojmë institucionin e bashkisë, të ftojmë institucionin e këshillit bashkiak që të na bëhet pjesë në këtë shqetësim tonin në mënyrë që ta çojmë së bashku zërin aty ku duhet.

Liqeni i Butrintit i krijon parametrat jetësorë përmes ujëkëmbimit, ku nga pjesa veriore vjen uji i ëmbël i freskët nga Bistrica, Syri i Kaltër, në pjesën jugore merr kripën e nevojshme, kombinim ky i dy elementëve që krijon kushtet e përshtatshme për kultivimin e midhjes.

Kjo u vu re nga analizat se në këtë rast kemi neglizhencë njerëzore dhe jo ashtu siç është pretenduar nga ngrohja globale.

Ngrohja globale ka ndodhur po në ato laguna që nuk kanë thellësi ndryshe nga Liqeni i Butrintit që është lagunë me thellësi maksimale 19-21 m.

Kështu që thirrja jonë sot është të kthehet liqeni i Butrintit në gjendjen optimale për kultivimin e midhjes.

Duke qenë se midhja është e lidhur me industrinë e turizmit, unë vetë si tur operator por edhe kolegët e tjerë e kemi futur këtë produkt në kulinarinë tonë aq thellë sa që shihet e pa ndarë dhe bashkia e Sarandës bëri një veprim, sipas këndvëshrtimit tonë, qesharak, që festën traditë të midhjes që zhvillonim vit pas viti, që ndihmonte fermerët të lobonin të ngrinin zërin e ktheu në festën e peshkut.

Prandaj jemi këtu përballë që këtë problematikë ta shohë me këmbë në tokë, t’ja rikthejë qytetit atë festë traditë të midhjes.

Tjetër gjë është edhe ajo që bashkisë ka një drejtori bujqësie. Fusha të tëra të Palit janë në varësi të kësaj drejtorie.

Ata menaxhojnë kanalet kulluese që derdhen në liqen, kanë hidrovoret, impiantin e përpunimit të mbetjeve të ujërave të zeza që është në fushën e Palit”,-tha Soraldo Nebo operator turistik.