SPAK i miraton Erion Veliajt edhe leje për takime pune në burg

SPAK i ka miratuar kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt takime jo vetëm familjarët dhe me avokatin, por edhe për arsye pune.

Siç mëson Top cannelh, kërkesa për takime pune me kryebashkiakun e Tiranës, është dorëzuar nga dy drejtorët Alban Dokushi dhe Sara Goxhaj.

Anëtarë të grupit të hetimit pohuan jo zyrtarisht se pasi kërkesa për takime pune është aprovuar dhe firmosur, do t’i njoftohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që duhet ta përcjellë autorizimin në burgun e Durrësit ku Erjon Veliaj, i dyshuar për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash po mbahet prej datës 12 shkurt.

Erion Veliaj, e ka ankimuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Apelimi i avokatit të tij, dërguar përmes postës, ka mbërritur ditën e djeshme në gjykatë dhe pritet që të hidhet shorti për të caktuar se kush do të jetë gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën.

Erion Veliaj, u arrestua më 10 shkurt me urdhër të prokurorit të SPAK, Ols Dado, teksa pas konfirmit të masës së sigurisë nga Gjykata e Posaçme, ai u transferua nga Blloku i Sigurisë te “Mine Peza” në kryeqytet në paraburgimin e Durrësit.

Nga hetimi i SPAK, ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste.

Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa, akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.

Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu, në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.

Pas një hetimi 1 vjeçar të SPAK, mbi Erion Veliajn, janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


Shtuar 21.02.2025 12:06