Presidenti i SHBA merr krahun e Putin/ Trump e quan Zelensky-n “diktator”

Presidenti Donald Trump duket se e ka pozicionuar plotësisht Amerikën në krah të presidentit rus Vladimir Putin, në luftën trevjeçare që lideri rus nisi kundër Ukrainës, duke lëshuar një kërcënim të çuditshëm në rrjetet sociale kundër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe duke e akuzuar atë se po vazhdon luftën kundër Moskës, si një mënyrë për të shfrytëzuar taksapaguesit amerikanë.

Në një postim në faqen e tij Truth Social, Trump akuzoi Zelensky-n, të cilin e quajti një “komedian mesatarisht të suksesshëm” – një referencë ndaj karrierës së tij të mëparshme si aktor në një serial televiziv dhe argëtues – se kishte “bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzonin 350 miliardë dollarë për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej dhe që nuk duhej të niste kurrë.”

Ai gjithashtu pretendoi se Zelensky – të cilin sondazhet e fundit e tregojnë me mbështetje nga shumica e ukrainasve – “refuzon të mbajë zgjedhje” dhe e akuzoi në mënyrë të rreme se është “shumë poshtë” në sondazhe, ndërsa e akuzoi se kishte “luajtur” me ish-presidentin Joe Biden “si një violinë” për fondet e ndihmës ushtarake të miratuara nga Kongresi amerikan gjatë tre viteve të fundit.

“Një diktator i pa zgjedhur, Zelensky më mirë të lëvizë shpejt, përndryshe nuk do t’i mbetet më asnjë vend,” shkroi Trump.

Presidenti vazhdoi duke sugjeruar se ai dhe ekipi i tij aktualisht janë duke “negociuar me sukses një fund” të luftës, një referencë ndaj vendimit të tij të fundit për t’u dorëzuar përballë diktatorit rus, duke hapur bisedime për një marrëveshje paqeje pa përfshirjen e Zelenskyt.


Shtuar 19.02.2025 19:29