Revolta e Dashamir Shehit: Dënoni hajdutët me votë, korrupsioni është futur në shoqëri, ai që vjedh 2 mijë lekë, njësoj me atë që vjedh 2 miliardë

Gjatë një interviste në emisionin ‘Dita Jonë’ në A2 CNN, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, deputeti Dashamir Shehi, u ka bërë thirrje shqiptarëve që në zgjedhjet e 11 majit, të dënojnë me votë të korruptuarit.

Shehi tha se për fatin e keq, korrupsioni nuk është një çështje që vendos fatin e zgjedhjeve.

Kjo pasi sipas tij, një pjesë e madhe e shoqërisë janë vetë të korruptuar. Shehi shtoi gjithashtu se, si ai që vjedh 2 mijë lekë, si ai që vjedh 2 miliardë, janë njësoj, hajdutë!

“Berisha ishte më i moralshëm në sulmin ndaj SPAK. Plus që kishte 12 vite në opozitë dhe nuk kishte firmosur asnjë letër. Ndërsa për PS nuk ka asnjë lloj justifikimi. Ky është kryeministri në detyrë dhe i drejtohet SPAK në atë mënyrë. Keni kaluar vijën e kuqe u thotë. Pse ky e vendos vijën e kuqe?

Shqiptarët duan njerëz që të mos fusin duart në xhepat e shtetit. Mos u merrni me të majtë e të djathtë. Fatkeqësisht nuk ka të djathtë e të majtë në Shqipëri, sepse vijmë nga një regjim barazitar që kishte për bazë gjëra të tjera, jo prirjet ideologjike. Për zgjedhjet nuk është vetëm një faktor, ka shumë faktorë. Unë po u bëj thirrje shqiptarëve që të votojnë për këtë që është i dukshëm. Korrupsioni në Shqipëri nuk është tema që peshon më shumë te vota. Duhet të ishte, që shqiptari të dënojë hajdutin me votë.

Jo nuk e bën dhe e di pse? Sepse një pjesë e shoqërisë sot është e korruptuar. Ai që s’paguan energjinë elektirke, a po vjedh shtetin? Ai dyqanxhiu që nuk i paguan taksa qeverisë, a është një i korruptuar i vogël? Pra korrupsioni është futur brenda shoqërisë. Shoqëria nuk reagon se janë të korruptuar vetë dhe thonë ai që është sipër do vjedhi më shumë. Se vjedh 2 miliardë lekë, se vjedh 2 mijë lekë, i korruptuar je”, shprehet Shehi.


Shtuar 17.02.2025 10:28