Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dorëzuar kërkesën për dërgimin në gjyq të 14 të pandehurve, pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, në kuadër të procedimit penal nr. 59/1, të vitit 2022.
Në mesin e të pandehurve, veçohen:
-
Leonard Duka, me masë sigurie “Arrest në burg”, akuzuar për:
- Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal).
- Krijimi dhe drejtimi i grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a, paragrafi 1 i Kodit Penal).
- Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal(neni 334, pika 1 e Kodit Penal).
-
Drianto Bardhi, me masë sigurie “Arrest në burg”, akuzuar për të njëjtat vepra penale në kuadër të grupit të drejtuar nga Leonard Duka
Ndaj të pandehurve Leonard Duka dhe Drianto Bardhi rëndojnë akuza të rënda, përfshirë “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, sipas Kodit Penal.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, është provuar se gjatë muajve qershor-shtator 2020, Leonard Duka dhe Drianto Bardhi, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të realizuar vrasjen e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, si pjesë e veprimtarisë së një grupi kriminal.
Grupi i strukturuar kriminal, i drejtuar nga Leonard Duka, kishte një shtrirje të gjerë dhe organizim të mirëmenduar, duke vepruar për qëllime kriminale në disa sektorë të paligjshëm.