“Jemi në avancim, synojmë anëtarësimin në BE brenda dekadës”, Rama u bën thirrje emigrantëve: Shqipëria është gati t’ju presë, kthehuni dhe investoni

Kryeministri Edi Rama ka ftuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në atdhe dhe të investojnë në Shqipëri. Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se sot Shqipëria është një realitet krejt tjetër, gati për të pritur emigrantët që duan të kontribuojnë me përvojën e tyre.

Rama theksoi se kthimi i emigrantëve sjell me vete dije dhe përvojë të fituar jashtë vendit, duke e cilësuar këtë si një “armë” për sukses:

“Çdo kthim është një dije ekstra, për shkak të eksperiencës së mbledhur në një realitet tjetër. Shqipëria sot nuk është më e vështirë se Greqia e dikurshme për ata që dikur punuan atje, edhe mes paragjykimeve. Sot, 35% e prodhimit në Kretë është në duart e shqiptarëve. Nëse këta njerëz punojnë tokën këtu, marrin tokë me qira apo bashkëpunojnë me të tjerët, me siguri do të kenë sukses”, – u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për të ardhmen e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se kthimi dhe investimi në atdhe është një hap me vlerë afatgjatë:

 

“Shqipëria është në avancim. Së shpejti do të hapim kapitujt e tjerë të negociatave me BE dhe synojmë të anëtarësohemi brenda kësaj dekade. Të investosh sot në Shqipëri është një investim i mirë për të ardhmen”, – tha Rama.

Në fund, kryeministri dha një mesazh inkurajues për emigrantët:

“Kush nuk provon, nuk fiton. Shqipëria është sot e gatshme për të pritur shumë më tepër emigrantë mbrapsht. Ju keni një përvojë që është një armë e fortë për suksesin tuaj këtu”.


Shtuar 15.02.2025 09:31