Këtë të mërkurë, në një deklaratë zyrtare, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama, të cilat, sipas tyre, cenojnë figurën dhe pavarësinë e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
KLGJ e cilëson çdo përpjekje për të ndikuar te drejtësia si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pavarësinë e sistemit gjyqësor, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
“Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit”, thuhet në deklaratë.
Duke theksuar rëndësinë e një sistemi të drejtësisë të pavarur, KLGJ nënvizon se çdo vendim gjyqësor, duhet të kundërshtohet vetëm përmes mjeteve ligjore dhe në instancat më të larta gjyqësore.
Sipas KLGJ-së, kjo është e vetmja rrugë për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Reagimi i KLGJ:
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.
Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë.