Bashkimi Europian ka përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, duke e cilësuar si një proces të qetë dhe të rregullt. BE thekson se qyetarët kosovarë patën mundësin të shprehin lirisht vullnetin e tyre.
Kështu tha zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Anitta Hipper, kur u përgjigj në pyetjet lidhur me reagimin e bllokut për zgjedhjet në Kosovë dhe pritjet pas mbajtjes së tyre.
Hipper tha se në Kosovë është vendosur misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet që është formuar me vendimin e shefes së diplomacisë, Kaja Kallas. Hipper e përshkroi si dëshmi të faktit që Brukseli i sheh raportet me Kosovën si shumë të rëndësishme, e kjo pavarësisht masave ndëshkuese të vendosura prej një viti.
Përveç vëzhguesve nga BE-ja, zgjedhjet u monitoruan edhe nga vëzhguesit vendorë, që thanë se ato kaluan pa incidente serioze, edhe pse me disa parregullsi. Kështu, vetëm pak orë pas përfundimit të votimit, ku KQZ do të duhej të dilte me rezultatet paraprake pati një dështim të sistemit elektronik të shfaqjes së të dhënave dhe sipas kryetarit të saj, Kreshnik Radoniqi, ata u detyruan që votat t’i numëronin në mënyrë manuale.
Pas dështimit të softuerit për shfaqjen e rezultateve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë. Pjsemarrja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë.
Paraprakisht, për këto zgjedhje votoi edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 vendesh të Kuvendit të Kosovës, i cili më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri.