Kryebashkiaku i Libohovës Leonard Hide, paraqitet në SPAK

Kryetari i Bashkisë Libohovë, Leonard Hide, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Hide dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se Hide ka firmosur njohjen me aktet, dhe pritet që SPAK t’i drejtohet sërish gjykatës lidhur me dosjen ndaj tij.

Hide akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se gjatë detyrës së tij si shef krimesh në Policinë e Gjirokastrës, ka favorizuar grupet kriminale në kultivimin e kanabisit.

Hide do të deklaronte më herët se ai dhe Partia Socialiste, nuk ishte në dijeni se po hetohej nga SPAK ndaj edhe kandidoi për të marrë postin e kryebashkiakut të Libohovës.

Parcelat me kanabis për të cilat akuzohet Hide dhe funksionar të tjerë lokal të policisë, u zbuluan gjatë një operacioni të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat dhe Prokurorisë Gjirokastër.

Hide mori mandatin e kryetarit të Bashkisë së Libohovës në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e Partisë Socialiste.


Shtuar 27.01.2025 10:30