Jorida Tabaku kritikon propozimet socialiste për përjashtime nga taksat: Favorizim për oligarkët, barrë për qytetarët

Ditën e sotme, përmes një video të publikuar në rrjetin social “Facebook”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video, ku analizon propozimet e fundit të shumicës socialiste për përjashtime nga taksat për 10 vite, për korporatat e mëdha në turizëm.

Këtë nismë, Tabaku e cilëson si një tjetër shembull të qartë të favorizimit të oligarkëve dhe rrënimit të ekonomisë për shumicën e shqiptarëve.

Sipas saj, kjo nismë është pjesë e një sistemi të kalbur dhe të korruptuar që mbitakson profesionistët e lirë, sipërmarrjet e vogla dhe shtresën e mesme, ndërsa përjashton nga taksat një pakicë gjithnjë e më të favorizuar.

Gjithashtu, Tabaku theksoi se ligjet speciale, të cilat fillimisht ishin përjashtime nga rregulli, tashmë janë kthyer në normë në Shqipëri. Ajo përmendi se aktualisht janë propozuar dy nisma të reja në Kuvend:

1. Shtyrja për herë të tetë e Ligjit të Investimeve Strategjike.

2. Përjashtimi nga taksat për 10 vite i bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit.

” Çdo qytetar shqiptar paguan sot taksat më të larta në rajon dhe në disa raste edhe në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, investitorët strategjikë, që veprojnë pa garë dhe në mënyrë klienteliste, përjashtohen nga këto taksa, ” u shpreh deputetja e PD-së.

Sipas Tabakut, qasja aktuale ka krijuar një sistem që favorizon një pakicë të lidhur me qeverinë dhe penalizon shumicën e qytetarëve. Ajo kritikoi rëndë faktin që janë miratuar 17 ligje speciale, duke përfshirë ato për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe përjashtimet nga taksat për kompani të mëdha.

” Një vend që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE nuk mund të lejojë këto praktika të deformuara, ” theksoi Tabaku, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë fiskale dhe investime strategjike në sektorë si bujqësia, turizmi, arsimi dhe energjia.

Deputetja demokrate propozoi disa masa konkrete për të rikthyer balancën dhe drejtësinë në ekonominë shqiptare, duke përfshirë:

Një kod fiskal transparent dhe të pandryshueshëm.
Rishikim të plotë të ligjeve për investimet dhe klimën e biznesit.
Përjashtim të favoreve fiskale që favorizojnë pakicën dhe dëmtojnë konkurrencën e lirë.

” Shqipëria ka nevojë për një treg konkurrues dhe të drejtë, që i shërben të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm një pakice të privilegjuar. Zgjidhja vjen përmes një politike fiskale të ndershme dhe investimesh të qëndrueshme, ” përfundoi Tabaku.

Ligjet Speciale dhe Pasojat e Tyre mbi Ekonominë Shqiptare

Ligjet speciale, të cilat fillimisht ishin parashikuar si përjashtime nga rregulli, janë kthyer në rregull në Shqipëri. Aktualisht, në Parlamentin e Shqipërisë janë propozuar dy ligje speciale të reja:

1. Shtyrja e Ligjit të Investimeve Strategjike për të tetën herë.

2. Përjashtimi nga taksat për dhjetë vite i të gjitha bizneseve që operojnë në sektorin e turizmit.

Çdo qytetar shqiptar paguan sot taksat më të larta, jo vetëm në rajon, por edhe në Bashkimin Evropian. Sistemi aktual i taksave është kompleks dhe arrin deri në 23%, duke nxitur informalitetin dhe duke zhvlerësuar shtresën e mesme. Si rezultat, shumë profesionistë të lirë dhe biznese të vogla detyrohen të bëjnë dy ose tre punë për të përballuar shpenzimet minimale të muajit.

Përgjigjja e qeverisë ndaj kësaj situate ka qenë përmes favoreve fiskale. Propozimi për të hequr të gjitha taksat e korporatave për dhjetë vite për industrinë e turizmit është korruptiv dhe klientelist.

Ky vendim është abuziv sepse:

Bizneset shqiptare paguajnë taksa të larta.

Shtresa e mesme paguan taksa të larta.

Sipërmarësit shqiptarë janë të detyruar të kontribuojnë me tatime të rënda.

Nga ana tjetër, investitorët strategjikë, që veprojnë pa garë dhe në mënyrë preferenciale, përjashtohen nga tatimi i korporatave. Ky është një shembull i qartë i funksionimit të sistemit socialist në ekonomi, duke favorizuar pak kompani dhe operatorë ekonomikë.

Numri i ligjeve speciale të miratuara nga Parlamenti ka arritur në 17, duke përfshirë:

Ligje për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ligje për investitorë strategjikë.

Ligje për përjashtime nga taksat.

Këto ligje kanë krijuar një pakicë të favorizuar dhe kanë taksuar shumicën dërmuese të qytetarëve shqiptarë. Një vend normal, sidomos një vend që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE, nuk duhet të lejojë këtë praktikë.

Ekonomia shqiptare ka nevojë për një kuadër të drejtë fiskal dhe një paketë të re investimesh, që:

Stimulojnë të gjitha investimet, shqiptare dhe të huaja.

Vendosin rregulla të qarta dhe të pandryshueshme fiskale.

Eliminojnë informalitetin dhe trajtimin preferencial të disa operatorëve ekonomikë.

Politikat fiskale duhet të jenë transparente dhe të bazuara në parimet e konkurrencës së lirë. Një kod fiskal i qartë dhe i pandryshueshëm do të nxisë investimet e huaja dhe do të ndihmojë në krijimin e një ekonomie të drejtë.

Investimet e huaja direkte sot fokusohen kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të patundshme, shpesh të lidhura me pastrimin e parave. Për të ndryshuar këtë situatë, duhet të mbështeten sektorët strategjikë si:

Bujqësia

Turizmi

Arsimi

Energjia

Zgjidhja vjen me:

1. Një paketë të re fiskale, që vendos të gjithë bizneset në një bazë të barabartë.

2. Një kod fiskal transparent, që nuk ndryshon sipas interesave të qeverisë apo oligarkëve.

3. Rishikim të plotë të ligjeve, që rregullojnë klimën e biznesit dhe investimeve.

4. Përjashtim të të gjitha favoreve fiskale, që deri më sot kanë favorizuar një pakicë.

Kjo praktikë duhet të marrë fund për të krijuar një treg konkurrues, të hapur dhe të drejtë, që i shërben të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për frymë dhe zhvillim të qëndrueshëm, bazuar në parimet më të mira të Bashkimit Evropian.

 


Shtuar 19.01.2025 11:29