AMERIKA NË ZI/ Aktorja e njohur në “The Blues Brothers” gjendet e djegur brenda banesës në Los Angeles

Aktorja dhe këngëtarja e njohur Dalyce Curry, e njohur për rolin në filmin “The Blues Brothers”, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare si pasojë e zjarrit që shpërtheu në Los Angeles.

Zyra e Mjekësisë Ligjore të Los Angeles konfirmoi vdekjen e saj të dielën, duke zbuluar se mbetjet e saj u gjetën në shtëpinë e shkatërruar plotësisht nga flakët.

Curry, e njohur me emrin “Momma D” nga familja, ishte parë për herë të fundit të martën nga mbesa e saj, Dalyce Kelley. Kelley, e cila ishte gjithashtu kujdestare e pjeshme e Curry-t, e kishte lënë atë në shtëpinë e saj në Altadena, në Kaliforni, një nga zonat më të goditura nga zjarri në Eaton.

Edhe pse zjarri kishte shpërthyer vetëm disa orë më parë, Kelley nuk besonte se flakët do të përhapeshin kaq shpejt dhe do të kishin pasoja kaq shkatërruese. Pas marrjes së një njoftimi përmes mesazhit që e informonte për ndërprerjen e energjisë elektrike në shtëpinë e Curry-t, ajo shkoi për ta kontrolluar.

Megjithatë, kur arriti në lagjen e “Momma D” në Altadena, ishte shumë vonë. Një oficer i forcave të rendit i tha Kelleyt: “Më vjen keq, prona e gjyshes suaj është shkatërruar. Është djegur krejtësisht.”

Ai i sugjeroi Kelleyt që të shkonte në Qendrën Civile në Pasadena, ku banorët e shpërngulur ishin strehuar për shkak të flakëve.

Pas asaj nate, Kelley dhe familja e Curry-t filluan të frikësoheshin se mund të kishte ndodhur më e keqja. Ata arritën të vizitonin atë që kishte mbetur nga shtëpia e gjyshes të premten, me ndihmën e Gardës Kombëtare që i shoqëroi deri në vendin e shkatërruar.

“Gjithçka ishte shkatërruar, përveç Cadillac-it të saj të kaltër,” tha Kelley për ABC7.

Pjesë e “Hollyëood”-it që në vitet 1950, Curry ka pasur një karrierë të gjatë si aktore duke luajtur në filma të njohur si The Ten Commandments, The Blues Brothers, dhe Lady Sings the Blues.

“Pavarësisht moshës, ajo ishte shumë aktive, nuk do të mendonit që ishte 95 vjeç,” tha një nga mbesat e Curry-t, Loree Beamer-Ëilkinson.

Si pasojë e zjarreve, që shpërthyen javën e kaluar në Los Angeles, numri i viktimave ka arritur të paktën 24 persona, ndërsa pothuajse 200,000 njerëz janë shpërngulur.


Shtuar 15.01.2025 13:20