E rëndë në Maliq/ Pësoi tension të lartë, 12-vjeçari ndërron jetë në spital

Një 12-vjeçar nga Maliqi, u dërgua me urgjencë në Tiranë nga spitali i Korçës. Në QSUT, ai ka humbur jetën teksa ishte në kujdes mjekësor.

Mësohet se i mituri është nga fshati Pocestë, ndërsa ishte nxënës në klasën e 7-të të shkollës në fshatin Vashtëmi.

Burime nga policia, bëjnë me dije se i mituri është dërguar në urgjencën e Korçës me tension të lartë, ndërsa pas kontrollit është nisur menjëherë drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Ka qenë shkolla e fshatit Vashtëmi që ka njoftuar edhe ngjarjen e rëndë, ndërsa nga burimet mësohet se i mituri është shtruar dy herë në spital, për shkak të problemeve shëndetësore që mund të lidhen me zemrën dhe diabetin.

Për shkak të moshës së re dhe rrethanave të vdekjes së papritur, policia ka nisur mëngjesin e sotëm hetimet lidhur me rastin për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të miturit.

Kanë qenë familjarët ata që kanë deklaruar para uniformave blu, që djali i tyre ka pësuar tension të lartë dhe që ka patur herë pas here probleme shëndetësore.

Pritet në vijim të kryhet ekspertiza mjeko ligjore, për të zbardhur shkakun e vdekjes.

Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Korçës, 12-vjeçari ka shkuar në spital rreth 10 ditë më parë me simptoma gripi dhe pasi është mbajtur nën kujdesin e mjekëve, gjendja e tij është përmirësuar dhe ka dalë nga spitali në datën 31 dhjetor.

Më pas, ai është shoqëruar përsëri nga familjarët në spital, pasi kishte të vjella dhe nga analizat ka rezultuar se kishte gliceminë e rritur ndaj dje në mëngjes është dërguar drejt Tiranës, ndërsa mbrëmjen e kaluar ka pësuar arrest kardiak.


Shtuar 8.01.2025 14:05