Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin e Vlorës.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Ismail Qemali”, ku një konflikt mes disa të rinjve ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas raportimeve paraprake mësohet se konflikti mes të rinjve filloi pas një debati virtual mes tyre. Më pas njëri prej të rinjve të përfshirë në këtë sherr thuhet se ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar një herë në ajër.
Fatmirësisht si pasojë e të shtënave nuk pati persona të lënduar, ndërkohë autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin i cili qëlloi me pistoletë.
Sakaq, grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të saj.