Zvicra është në zi për humbjen e skiatores Sophie Hediger, e cila vdiq tragjikisht të hënën në moshën vetëm 26-vjeçare, pas një orteku në resortin e skive Arosa në Alpet zvicerane.
Lajmi për vdekjen e saj u njoftua të martën nga Federata Zvicerane e Skive, ku shefi ekzekutiv i federatës, Walter Reuscher, shprehu pikëllimin e tij: “Jemi të tronditur dhe i shprehim ngushëllimet tona familjes së Sophie. Për familjen Swiss-Ski, vdekja tragjike e Sophie Hediger hedh një hije të rëndë trishtimi mbi festat e Krishtlindjeve. Jemi thellësisht të pikëlluar. Do të mbajmë në kujtesë praninë e nderuar të Sofisë”.
Sipas informacioneve, orteku ka ndodhur gjatë skijimit, ndërsa sportistja është lokalizuar dy orë pasi janë njoftuar autoritetet.
Policia e Qarkut Grisons, ka nisur hetimet për rrethanat e aksidentit, por me kërkesë të familjes nuk do të jepen detaje të tjera.
Orteku ka ndodhur pas reshjeve të dendura të borës në Zvicër, të cilat ditët e fundit kishin shtuar rrezikun për ortek.
Sophie Hediger, kishte festuar ditëlindjen e saj të 26-të vetëm nëntë ditë para ngjarjes tragjike. Ajo kishte marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 në Pekin, ku konkurroi në garën e snowboard cross dhe në garën e ekipit miks.
Gjatë sezonit 2023-24, Hediger pati dy dalje në podium në Kupën e Botës, me performancën e saj më të mirë që u rendit e dyta në St. Moritz në janar.
Në një postim pas fitores, Hediger shkroi: “Uau! Çfarë ndodhi dje! Hera e parë në podiumin e Kupës së Botës dhe madje edhe në vendin tim! Nuk mund të isha më e lumtur se kaq”.
Humbja tragjike e Sophie Hediger, ka tronditur botën e skijimit dhe snowboarding, duke lënë një boshllëk të pariparueshëm në zemrat e të gjithë atyre që e njohën dhe admiruan përkushtimin dhe talentin e saj.
View this post on Instagram