Paraditen e kësaj të hëne, u zhvillua seanca për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, e cila shqyrtoi kërkesën e zëvendësimit të masës nga dënim me burg, në zëvendësimin ” kryerje e dënimit të mbetur në shtëpi”.
Gjyqtarja Suela Lika, vendosi zhvillimin e seancës me kërkesën e kërkuesit Safet Gjici pa praninë e tij.
Ndërkohë, Markeljan Jançe, avokati i kërkuesit shprehu dakordsi në me aktet e ekspertimit. Nga ana e tij, Prokurori Ledion Tema, gjatë fjalës së tij theksoi se për pyetjen numër 10 që atyre ju kushte drejtuar gjykata, ekspertët nuk i kanë dhënë përgjigje të qartë.
Por, avokati e ka kundërshtuar pretendimin e prokurorit dhe se përgjigjet e hartuara nga ekspertët sipas tij janë shteruese.
Gjykatësja Suela Lika, u shpreh se gjykata vlerëson se në kuadër të gjykimit të plotë, ekspertët duhet të japin përgjigje të plotë për pyetjen 10 ku duhet saktësuar terapia, të cilës kërkuesi Safet Gjici po i nënshtrohet.
Edhe shërbimi i provës sipas saj, duhet të hartojë planin individual të trajtimit mjekësor i cili pasi të njohë aktet kërkoi dy javë kohë për t`u përgatitur.
Gjykata vendosi t`i drejtohet me shkresë sërish ekspertëve mjeko ligjorë, për të dhënë përgjigje sa më të qartë pyetjes numër 10 të drejtuar prej saj.
Seanca e ardhshme, u vendos të zhvillohet në 30 Janar 2025 në orën 10.00.
Për seancën e radhës, shërbimi i provës pritet të paraqesë relacion nëse është i përshtatshëm personi për t`u përshtatur nga burgu në qendrim në shtëpi.
Ndërkohë, ekspertët e IML do të shpjegojnë se cila është terapia që Gjici, duhet të ndjekë dhe a ia mundëson spitali i burgut këtë trajtim.