Policia e Korçës, njofton se ka arrestuar personin, i cili hyri në një bankë të nivelit të dytë në qendër të qytetit juglindor, duke hapur derën me dhunë.
Në pranga është vënë shtetasi Valter Xhelillari, 38-vjeç, banues në Korçë.
“Më datë 21 Dhjetorit, rreth orës 22:05, 38-vjeçari ka hyrë me forcë në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ku ka qëndruar për disa sekonda dhe është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, pa marrë asgjë”, – thuhet në njoftimin e Policisë.
I riu shfaqej në kamerat e sigurisë, vetëm me një kapele, i pamaskuar dhe i pa armatosur, teksa shfaqej me telefon në dorë dhe dyshohet se ishte “live” në rrjetin social TikTok.
Nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i tij, teksa policia nuk bën me dije akuzën që është ngritur ndaj 38-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.