Transportonin kundrejt pagesës 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen dy 20-vjeçarë në Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës, ka arrestuar dy të rinj 20-vjeçarë, të cilët u kapën duke transportuar kundrejt pagesës katër emigrantë që kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Greqia drejt Shqipërisë.

Arrestimet u kryen gjatë operacionit të koduar “Long Wait”. Në pranga përfunduan L. A. dhe L. B., të dy banues në Bulqizë, të cilët u ndaluan në aksin Gjirokastër-Tepelenë, pranë vendit të njohur si “Uji i Ftohtë”. Ata po lëviznin me një automjet tip “Volkswagen”.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Policisë, të rinjtë nuk iu përgjigjën urdhrit për të ndaluar. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan automjetin dhe dy telefona celularë, të cilët do të përdoren si prova materiale.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”. Materialet e çështjes i janë dërguar Prokurorisë së Gjirokastrës për vijimin e procedurave.


Shtuar më 1.11.2026 13:06