Seanca për Safet Gjicin në Gjykatën e Elbasanit/ Ekspertët do të japin përgjigje për 11 pyetje mbi gjendjen shëndetësore të tij

Ditën e sotme, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, zhvillohet seanca për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, ekspertët duhet t`u japin përgjigje 11 pyetjeve.

Sot në orën 10:00 në Gjykatën e Shkallёs sё Parё të Juridiksionit tё Pёrgjithshёm, Elbasan do të zhvillohet seanca për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici i cili ka kërkuar prej disa muajsh të vuajë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit.

Në seancën e paralajmëruar për t`u mbajtur gjatë paradites së kësaj të Hëne, 23 Dhjetor 2024 do të diskutohet akti i ekspertimit i kryer nga tre ekspertët e Institutit të mjekësisë ligjore Tiranë.

Në seancën gjyqësore tё zhvilluar për shtetasin Safet Gjici në 14 Nëntor 2024 mbi” Caktimin e detyrave të ekspertëve të Mjekësisë ligjore” kërkuesi Safet Gjici nuk u paraqit për arsye shëndetësore. Ndërkohë në atë seancë u paraqitën mbrojtja, organi i akuzёs dhe ekspertët mjeko-ligjorë.

Pas betimit të tre ekspertëve mjeko-ligjorë atyre në mesin e muajit Nëntor të këtij viti nga Gjykata, iu caktuan 11 detyra për të cilat ata në seancën e kësaj fillim jave duhet të japin përgjigje të argumentuara mjaft qartë .

Tre ekspertët e mjekësisë ligjore të cilët janë njohur me të gjitha aktet që janë pjesë e dosjes gjyqësore “Gjici” pas afro gjashtë jave pune sot do u japin përgjigje para Gjykatës pyetjeve të mëposhtme:

1. A vuan shtetasi Safet Gjici nga ndonjë sëmundje, nëse po, paraqisni, një historik të sëmundjes së tij nga koha e arrestimit të tij e deri në datën e kryerjes së ekzaminimit objektiv dhe cila është diagnoza?

2. Cilat janë patologjitë që konstatohen tek kërkuesi Safet Gjici?

3. A vuan kërkuesi nga diabeti dhe nëse po, cila eshtë shkalla e sëmundjes, pasojat e shkaktuara, terapia e ndjekur, a ka qënë efektive ajo dhe cili është mjekimi më i përshtatshëm që rekomandohet?

4. A ka shkaktuar diabeti insufiçencë të organeve jetësore?

5. A vuan kërkuesi Safet Gjici nga probleme kardio-vaskulare dhe nëse po cila ёshtë diagnoza?

6. A ka pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore të kërkuesit Safet Gjici gjatë qëndrimit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nëse po, a ka marrë trajtimin e përshtatshëm?

7. A van nga ndonjë sëmundje veçanërisht e rëndë, shtetasi Safet Gjici?

8. A ka nevojë kërkuesi për trajtim të specializuar dhe nëse po, a e ofron Institucioni Mjekësor ku ai është akomoduar këtё trajtim?

9. Në momentin e kryerjes së ekzaminimit objektiv, cila është gjëndja shëndetësore e kërkuesit, a është e tillë, që përben rrezik për jetën e kërkuesit?

10. Nëse po, cila është terapia efektive e përshtatshme për eleminimin e këtij rreziku dhe a e mundëson Institucioni Mjekësor ku gjendet aktualisht?

11. A rrezikohet jeta e kërkuesit nëse qëndron i izoluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale?

Ish-kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, sipas avokatit të tij Markeljan Jance vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Sipas Jançes, këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore.

Gjici vuan dënimin në Burgun e Kosovës në Lushnje dhe aktualisht ndodhet në një klinikë mjekësore në një spital privat ku prej disa muajsh po kurohet për problematikat shëndetësore me të cilat ai po përballet në këtë periudhë.


Shtuar 23.12.2024 09:00