Prokuroria e Posa SPAK, ka vendosur të ndajë në dy pjesë dosjen e famshme penale “5D Konstruksion”, duke e bëra gati ta çojë në gjyq me dy grupe të pandehurish.
Afati i fundit për dërgimin e dy dosjeve në gjyq, është caktuar data 3 shkurt 2025.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se në njërin procedim janë marrë shtatë të pandehur, drejtorët dhe pronarët faktikë të kompanisë së ndërtimit “5D”.
Ndërsa në çështjen e dytë, rezulton të jenë marrë 13 të pandehur Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe zyrtarët e përpilimit të dokumenteve tenderuese.
Vendimi për ndarjen e çështjes në dy pjesë, mësohet të jetë marrë nga prokurori i dosjes, Klodian Braho, i cili për shkak të numrit të madh të të pandehurve, ka arsyetuar të ndajë këtë çështje në dy dosje të ndryshme me qëllim krijimin e lehtësirave në fazën e gjykimit.
Dosja e parë që tashmë SPAK, ka mbyllur hetimet dhe është gati ta çojë në gjykatë, përbëhet nga 7 të pandehur, të cilët janë veçuar, si:
Redi Molla, me detyrë ish-Drejtor i Ujësjellësit Tiranë;
Mariglen Qato, ish-drejtor në departamentin Mbështetës;
Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashki;
Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit;
Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve në Bashki;
Albano Janku, Drejtor i Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashki;
Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion”.
Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës, janë korrupsion pasiv dhe aktiv, refuzim për deklarim, shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera.
Ndërsa dy të pandehurat e tjera si Deborah Keçi, me detyrë Drejtoreshë e Klubit Sportiv Tirana dhe Eglantina Zëre, me detyrë drejtoreshë e Drejtorisë së Pastrimit dhe Gjelbërimit, janë bashkuar në dosjen penale që përbëhet nga 13 persona.
Kjo dosje ka emrat e 13 zyrtarëve që kanë marrë pjesë në Komisionet të Vlerësimit të Ofertave dhe që kanë qenë pjesë e Drejtorisë së Njësimit dhe Përpilimit të Dokumenteve tenderuese.
Ky grup, akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të pabarazisë në tendera”.
Tashmë për të dyja çështjet me 20 të pandehur, ka përfunduar hetimi dhe avokatët janë njohur me aktet hetimore me qëllim depozitimin e prapësimeve mbi mangësitë e hetimit.
Koha përfundimtare për dërgimin plotësisht të dosjes në gjyq është lënë data 3 shkurt 2025.